Renova vetëm një ditë para ndeshjes kundër Akademia Pandev, e vlefshme për javën e 7-të në elitën e futbollit vendor, ka mbetur pa trajnerin e saj Jeton Beqiri. Ky i fundit ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit, duke lënë klubin në duart e ndihmësve të tij, që pritet të udhëheqin skuadrën gjatë ditës së nesërme.
Rezultatet e dobëta janë arsyeja kryesore e largimit të Jeton Beqirit nga posti i trajnerit te Renova, skuadër kjo që nën drejtimin e tij regjistroi vetëm një fitore, një barazim dhe 4 disfata në kampionat, ndërsa për më tepër kjo skuadër nën drejtimin e tij u eliminua edhe nga Kupa e Maqedonisë, pas asaj disfate të papritur nga Tikveshi.