FC Shkupi sot në Strumicë do të ketë një përballje mjaft të vështirë ndaj Bellasicës, skuadër kjo e cila njëjtë sikurse edhe skuadra nga Çairi vetëm në kuadër të javës së 6-të, që në program ishte këtë fundjavë, arriti fitoren e parë në sezonin e ri, njofton “infOSport.mk”.
Për dallim nga trajneri i skuadrës vendase të Bellasicës që nuk ka probleme me futbollistë të lënduar, apo suspednaur, në anën tjetër trajneri i FC Shkupit, Hajati Sojdash nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e dy futbollistëve mjaft të rëndësishëm. Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut të majtë Besart Krivanjeva, që ende po vuan nga një dëmtim i disa ndeshjeve më parë si dhe për mesfushorin Rron Broja, i cili vuan nga një dëmtim në nyjën e këmbës.
Ndeshja Bellasica – Shkupi luhet sot në stadiumin “Mlladost” në Strumicë me fillim në orën 15:30 minuta, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri Sojançe Stojanov.