Është kjo një ndeshje derbi mes dy skuadrave shqiptare, që në Ligën e Dytë u inkuadruan gjatë këtij sezoni. Për Goblenin është ky sezoni debutues në këtë rang garash, ndërsa për Korabin një rikthim në Ligën e Dytë, aty ku shpreson të qëndrojë më gjatë kohë. Megjithatë fillimi i sezonit nuk po paralajmëron një gjë të tillë, duke pasur parasysh se skuadra dibrane në 5 javët e para ka tubuara vetëm 4 pikë dhe aktualisht ndodhet në pozitën e parafundit. Në anën tjetër Gobleni në 5 javët e para nuk njeh disfatë, duke regjistruar dy fitore dhe 3 barazime, dhe aktualisht me 9 pikë ndanë pozitën e 3-të në renditje bashkë me Gostivarin. Është interesant fakti se Gobleni të dyja fitoret i ka realizuar në transfertë, ndërsa në tre ndeshjet e zhvilluara si nikoqir, në të gjitha ka barazuar, edhe atë ndaj Struga Trim Lum (1:1), Pelisterit (0:0) dhe Labunishtit (1:1).
Në anën tjetër Korabi fitoren e vetme e morri në javën e fundit si vendas, kur në debutimin e trajnerit të ri Mensur Nexhipi (Agron Merko u shkarkua për shkak rezultateve të dobëta) mundi Skopjen me rezultatin minimal 1:0.
Korabi edhe në ndeshjen e fundit kundër Genç Kalemler avansoi i pari, mirëpo në fund pësoi disfatë me rezultatin 3:1.
RIVALITETI
Këto dy skuadra nuk kanë ndonjë rivalitet të theksuar, për më tepër që për herë të parë takohen në një ndeshje zyrtare. Të dyja skuadrat mund të lëvdërohen me tifoz të shumtë që i ndjekin në ndeshjet e tyre kampionale, sidomos kur luajnë si vendas. Ashtu pritet të jetë edhe sot në Dibër, një qytet ky që po shihet qartë se e don futbollin.
MUNGESAT
Skuadra vendase e Korabit nuk ka asnjë mungesë, ashtu që me futbollistët më të mirë do i kundërvihet skuadrës së Goblenit, që në këtë ndeshje do të paraqitet pa futbollistin e saj më të mirë në këto xhiro të para, Ylber Alili. Ky i fundit ka shënuar dy gola në dy ndeshjet e fundit, ndërsa ishte më i merituari për atë përmbysje të madhe në ndeshjen e fundit si mysafir të Goblenit ndaj Gostivarit, kur me inkuadrimin e tij në lojë gjatë pjesës së dytë, skuadra kumanovare ktheu rezultatin nga 2:0, në 2:3. Mirëpo Alili nuk është mungesa e vetme e skuadrës së Goblenit për takimin e nesërm, pasi ndaj Korabit nuk do të mund të luaj edhe mesfushori Engin Sherifi, i cili në ndeshjen e fundit kundër Labunishtit u ndëshkua me kartonë të kuq (dy kartonë të verdhë).