Qyteti i Gostivarit gjatë ditës së sotme do të jetë nikoqir i derbit të Pollogut, ku mejdanin do të ndajnë ekipi vendas i Gostivarit dhe Teteksi nga Tetova. Janë këto dy skuadra që njihen mirë me njëra tjetrën, dhe që në rradhët e tyre kanë shumë futbollistë cilësorë. Gostivari për momentin është skuadër më e mirë, bazuar edhe në emrat e futbollistëve që ka në rradhët e veta, ndërsa në anën tjetër Teteksi mund të mbështetet te përvoja e madhe dhe historia që ka në futbollin vendor.
SEZONI I RI
Gostivari e nisi mbarë sezonin e ri, ku në dy javët e para regjistroi dy fitore pa asnjë gol të pranuar. Gostivari fillimisht mundi Korabin në transfertë (0:2), dhe më pas edhe Skopjen si vendas (1:0), por që më pas të vijnë dy disfata të njëpasnjëshme në Gostivar, fillimisht në derbin lokal ndaj Genç Kalemler dhe më pas edhe ndaj Goblenit. Në të dyja ndeshjet Gostivari pësoi disfatë me rezultatin identik 2:3, me ç’rast erdhi edhe deri te largimi i presidentit Visar Ademi dhe më pas edhe të trajnerit Mensur Jakupi. Në vend të këtij të fundit në skuadër erdhi Erxhan Menga, një njohës i mirë i rrethanave në skuadrën e Gostivarit, ndërsa kjo dha rezultatin e duhur që në start, pasi Gostivari që në ndeshjen debutuese të trajnerit Menga mundi Struga Trim Lumin në transfertë me rezultatin 1:4. Kjo fitore riktheu shumë shpejtë besimin e futbollistëve të Gostivarit, të cilët shpresojnë se kjo fitore do të jetë një piknisje për fitoret tjera në vazhdim të kampionatit, duke filluar që nga kjo e sotmja ndaj Teteksit.
Kur jemi te kjo e fundit, këta vetëm në javën e fundit arritën fitoren e parë sezonale, edhe atë duke mundur Pelisterin në Tetovë me rezultatin 2:1. Ndryshe pas 5 xhirove të para skuadra tetovare numëron 1 fitore, 1 barazim dhe 3 disfata, duke u renditur vetëm në pozitën e para fundit.
MUNGESAT
Te Gostivari që të gjithë futbollistët janë të gatshëm për të dhënë më të mirën, me përjashtim të sulmuesit Lavdrim Skenderi. Ky i fundit pas ndeshjes me Strugën ankoheshe në një lëndim të lehtë, mirëpo tashmë mbetet e trajnerit dhe stafit të mjekëve të skuadrës nëse e shohin të arsyeshme që Skenderi të luaj në përballjen e sotme ndaj Teteksit. Prezenca e tij me siguri se do të ishte një ndihmë e madhe për sulmin e skuadrës së Gostivarit, duke pasur parasysh se ish sulmuesi i Renovës ka shënuar 3 gola në 3 ndeshjet e fundit.
Në anën tjetër te Teteksi do të mungojnë Filip Krstevski dhe mbrojtësi Stefan Kocev, ndërsa në dyshim është edhe Jane Ivanoski. Që të tre futbollistë të rëndësishëm të skuadrës tetovare, ku vlen të theksohet se pikërisht falë golit të Stefan Kocev në minutat shtesë, Teteksi kishte mundur Pelisterin në ndeshjen e së shtunës që lamë pas.
HISTORIA
Ndeshja e sotme për këto dy skuadra do të jetë e dyta gjatë këtij edicioni, duke pasur parasysh se Teteksi dhe Gostivari u takuan mes tyre edhe në kuadër të raundit të parë të Kupës së Maqedonisë. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me barazim 1:1, ndërsa Gostivari falë ruletit të penaltive kaloi në raundin e dytë.
Ndryshe sa u përket ndeshjeve kampionale, këto dy skuadra mes tyre në kuadër të Ligës së Dytë janë takuar edhe 6 herë të tjera, ku të dyja skuadrat kanë nga 3 fitore. Asnjë ndeshje mes tyre deri më tani nuk është mbyllur me barazim, ndërsa gëzon fakti se në të gjitha ndeshjet janë shënuar gola.
Gostivari në 3 ndeshje si vendas ka shënuar 2 fitore dhe një disfatë minimale, ndërsa vlen të theksohet gjithashtu se pikërisht ndeshjet në Gostivar kanë prodhuar edhe më shumë gola, sidomos në ato fitore të skuadrës gostivarase (2:1) dhe (4:1).
STADIUMI
Ndeshja zhvillohet në stadiumin e qytetit të Gostivarit, aty ku Teteksi në kuadër të xhiros së parë të sezonit të ri ishte takuar me ekipin e Genç Kalemler dhe kishte nxjerrë një barazim. Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i takimit të sotshëm ndaj Gostivarit, që shpreson në një përkrahje të tifozëve të saj, sidomos pas asaj fitore të madhe ndaj Struga Trim Lum.