Eden Hazard si duket shumë shpejt do ju jep fund spekullimeve rreth të ardhmes së tij, pasi i njëjti është shumë pranë kontratës së re me ekipin e Çelzit. Një gjë të tillë pohojnë mediat britanike, të cilat madje njoftojnë se është arritur akordi mes drejtuesve të skuadrës “blu” nga Londra dhe vetë futbollistit belg, për rinovimin e kontratës që do të bëhet gjatë javës tjetër.
Kontrata aktuale e Hazard është deri në vitin 2020, ndërsa rinovimi edhe për dy të tjera me siguri se do të sjellë përfitime edhe më të mëdha për fantazistin belg, duke qenë se parashikohet edhe rritje e pagës së belgut.
Para fillimit të Botërorit në Rusi, Hazard kishte refuzuar ofertën për rinovimin e kontratës me Çelzin, edhe pse skuadra nga “Stemford Brixh” i kishte ofruar atij plotë 350 mijë euro në javë, duke e bërë futbollistin më të paguar në historinë e këtij klubi. Mbetet të shihet nëse do të jetë kjo shifër e përfshirë në kontratën e re të Hazard, për shërbimet e të cilit më së shumti interesohej Reali i Madridit, që në këtë mënyrë do të marrë edhe një goditje tjetër, pasi asesi nuk po mund të gjejë zëvendësuesin ideal të Kristiano Ronaldos.