Në mungesë të Suat Zendelit, i cili në takimin e fundit ndaj Makedonija GJ.P ishte në bankinë, shiritin e kapitenit te skuadra e FC Shkupit të dielën e mbante Amir Bilali, një futbollist i ardhur vetëm gjatë kësaj vere te skuadra nga Çairi. Ai skuadrës “bardhekaltër” iu bashkua nga rradhët e Teutës, ndërsa shumë shpejtë u shndërrua në një titullarë të padiskutueshëm në mbrojtjen e FC Shkupit.
E gjithë kjo bëri që trajneri Hajati Sojdash t’ia beson shiritin në ndeshjen e së dielës kundër Makedonija Gj.P., ndërsa kjo gjë i solli fat skuadrës së Shkupit, që arriti edhe fitoren e parë në sezonin e ri në LPFM.
“Të jesh kapiten është një ndjenjë shumë pozitive dhe falënderoj trajnerin e kryesinë që më dhanë shiritin e kapitenit. Erdhi fitorja e parë me shumë djersë dhe arritëm një qëllim. Thyem akullin dhe shpresoj të vazhdojmë kështu e të shohim vetëm para duke parë objektivat që kemi. E nisëm vështirë por mendoj se do të rikthehemi pasi kam besim te vetja dhe shokët e ekipit. Do arrijmë aty ku kemi ambiciet tona pavarësisht nisjes jo të mirë” – deklaroi për Lajm Tv, Amir Bilali.
Bilali shiritin e kapitenit e ka mbajtur edhe te moshat e Kombëtares shqiptare, por një gjë e tillë me fanellën e FC Shkupit e ka bërë atë shumë krenar.
“Kam qenë kapiten te moshat e Kombëtares, por të jesh te Shkupi, ekip me traditë është ndjenjë shumë e madhe. Jo vetëm për shiritin por gjithmonë duhet të futesh në fushë e të japësh maksimumin për tifozët që na mbështesin që në nxemje” – tha Bilali.
Ai nuk është befasuar aspak për shiritin e kapitenit, ndërsa këshillat më të mëdha para fillimit të takimit i ka marrë nga kapiteni kryesor, Suat Zendeli.
“Nuk u befasova që mora shiritin pasi trajneri ka bërë zgjedhjen e tij dhe e pranova unë shumë lehtë. Përgjegjësia për të qenë kapiten është shumë e madhe dhe kam marrë shumë këshilla nga kapitenë të tjerë dhe i kam ndjekur këshillat e Zendelit. Më tha para ndeshjes që të jem i qetë. Kapiteni shihet në vështirësi, pasi në këtë periudhë jemi të gjithë kapitenë që nga magazinerët. Mora shumë komplimente pas ndeshjes dhe shpresoj të arrijmë sukses së bashku me Shvercerat”, tha mes të tjerash Amir Bilali, i cili te FC Shkupi po zhvillon sezonin e tij të parë.
FC Shkupi në fund shënoi fitore 2:1 ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit falë golave të shënuar nga Suhel Muharemi dhe Bazhe Ilijoski.