Rabotniçki-Vardari, statistika dhe kuriozitete që duhet ti dini rreth këtij takimi

Derbi i javës së 6-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë dhuron derbin lokal midis Rabotniçkit dhe Vardarit. Është kjo një ndër ndeshjet më interesante të kësaj jave, ndërsa duke parë rivalitetin mes këtyre dy skuadrave në ndeshje të këtilla në lojë gjithnjë janë tre rezultatet.

Kjo për faktin se Vardari kur ishte në vitet e tij më të mira, Rabotniçki dinte të nxirrte fitore apo edhe ndonjë barazim.

RIVALITETI

Të dyja skuadrat kanë një rivalitet të madh në fushën e futbollit, mirëpo jo edhe në tribuna, aty ku dominon skuadra e Vardarit. Të dyja skuadrat shfrytëzojnë stadiumin e njëjtë, edhe pse kjo do të jetë hera e parë që Vardari këtë edicion do të luaj në “Telekom Arena”, duke pasur parasysh se ndeshjet si vendas për shkak krizës financiare që ka kapluar këtë klub i ka zhvilluar në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari. Në anën tjetër Rabotniçki në vazhdimësi po luan në stadiumin më të madh të vendit, ashtu që kjo mund të jetë edhe një përparësi e vogël për “romantikët”, të cilët tashmë me një sponzor të fuqishëm pas vetes si “Seavus”, kompaninë e njohur softuerike, kjo skuadër tre ndeshjet e fundit si vendas po i zhvillon në terminin e mbrëmjes.

SPONZORËT

Siç cekëm më lartë, Rabotniçki nga ky edicion pas vetes ka edhe një sponzor të fuqishëm në emrin e kompanisë së njohur softuerike, “Seavus” dhe kjo gjë po vërehet pasi në klubin nga Debar Maalo mbizotëron një atmosferë e shkëlqyeshme, ndërsa krejtësisht e kundër është gjendja te klubi i Vardarit, që ndodhet në një krizë të thellë financiare. Mirëpo edhe përkundër krizës financiare, skuadra nënkampione e vendit nuk ka krizë rezultatesh, ku për momentin figuron më lartë se Rabotniçki.

NDESHJET E SEZONIT TË RI

Vardari në 5 xhirot e para ka regjistruar 3 fitore dhe 2 barazime, ndërkohë në anën tjetër Rabotniçki ka arritur 3 fitore dhe 2 disfata, përfshirë këtu edhe disfatën e fundit ndaj Shkëndijës (2:6). Megjithatë “romantikët” janë shumë më efikas, ku në 5 ndeshjet e para kanë shënuar nga dy gola për ndeshje, ndërsa Vardari ka shënuar vetëm 7 gola, apo 1.4 gola për ndeshje.

Vardari në 3 ndeshjet e fundit kampionale ka shënuar 4 gola, ndërsa në kuadër të Kupës nuk shkoi më shumë se një barazim 1:1 ndaj Makedonija Gj.P. Ndaj së njëjtës skuadër me 8 shtator pësoi një disfatë të thellë 3:0 në një ndeshje miqësore, ndërsa e gjithë kjo dëshmon edhe për një Vardar jo edhe aq dominues këtë vit. Fati i mirë i skuadrës “kuqezi” dhe trajnerit Vasoski është se nuk mungojnë rezultatet në këtë fillim sezoni, mirëpo nuk mund të thuhet se ndeshjet e fituara kanë qenë përmes një loje të bukur, ashtu siç mund të thuhet edhe për Rabotniçkin, skuadër kjo që nuk ka bindur ende me lojra të mira.

MUNGESAT

Trajneri Gjore Jovanovski në këtë ndeshje nuk do të mund të llogarisë sërish në shërbimet e portierit të parë Riste Jankov, pastaj mesfushorit Ljubomir Stefanoviç si dhe futbollistit të ri, Andrej Lazarov, i cili në ndeshjen e kupës në mesjavë ndaj Tikveshit u ndëhskua me kartonë të kuq.

Në anën tjetër lajm i mirë për “romantikët” është rikthimi i mesfushorëve Nikolla Sharkoski, i cili kthehet nga dëmtimi që kishte si dhe Oliver Peev, i cili pauzoi në mesjavë për shkak kartonit të kuq në ndeshjen ndaj Shkëndijës.

Te Vardari mungesa  e vetme pritet të jetë Besar Iseni, ndërsa gjithçka është pastruar mes trajnerit dhe armenit Barsegian, i cili pas mungesës në ndeshjen ndaj FC Shkupit, u paraqit ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit në Kupë, ashtu që i njëjti pritet të jetë titullarë edhe sot përballë Rabotniçkit.

FUTBOLLISTË MË TË DALLUAR

Pikërisht Barsegian për momentin është futbolllisti që mund të dallohet në rradhët e Vardarit, kjo jo vetëm për shkak golave të shënuar (3 gola), por edhe për aftësitë e tij individuale që ka.

Në anën tjetër në këtë fillim sezoni Rabotniçki po udhëhiqet nga ish sulmuesi i Vardarit, Petar Petkovski, që ka shënuar 5 gola, dhe kapiteni Ostoja Stjepanoviç, gjithashtu një ish futbollistë i skuadrës “kuqezi”, që edhe sonte priten të jenë ndër futbollistët lider te “romantikët”.

HISTORIA

10 ndeshjet e fundit kanë dhuruar 4 fitore të Rabotniçkit, 5 të Vardarit, ndërsa vetëm një ndeshje është mbyllulr me barazim. Gëzon fakti se në të gjitha këto 10 ndeshje ka pasur gola,  ndërsa 3 ndeshjet e fundit janë mbyllur me shumë pak gola. Dy fitoret e Rabotniçkit janë arritur me vetëm nga një gol (1:0), ndërsa fitorja e Vardarit ishte me rezultatin 2:1.

Ndryshe përveç dy fitoreve minimale (1:0) të Rabotniçkit, në 10 ndeshjet e fundit mes këtyre dy skuadrave ka qenë edhe Vardari që ka arritur në tre raste fitore identike, ndërsa vetëm dy ndeshje janë mbyllur me nga 4 gola të shënuar.

Tre ndeshje e fundit të shtatorit mes këtyre dy skuadrave nuk kanë prodhuar më shumë se 2-3 gola.

Leave a Reply