Mesut Ozil pa dyshim se është një ndër futbollistët më të mirë që njeh bota e futbollit modern. Fantazisti gjerman me origjinë turke që prej transferimit nga Real Madridi te Arsenali, ka qenë futbollisti që ka tërhequr vëmendjen më të madhe te skuadra londineze.
Ozil ka pasur një formë jo konsistente në vitet e fundit tek Arsenali, ku ai ka ditur shpeshherë të jetë vendimtar, mirëpo ndonjëherë thuajse edhe fare të mos shihet në terren për gjatë tërë 90 minutave.
Megjithatë, ndryshe mendon futbollisti shqiptarë Granit Xhaka, i cili është shok skuadre me turko gjermanin. Sipas Xhakës, Mesut Ozil është futbollisti më i mirë që ndonjëherë ai ka luajtur bashkë.
“Më i miri tek Arsenali? Nuk më duhet të mendoj shumë për këtë – është Mesut. Ozil është lojtari më i mirë me të cilin unë kam luajtur. Ai është futbollist i rrugëve. Ai ka filluar të luajë futboll në rrugë. Ozil pëlqen të bëjë gjëra me topin, ai pëlqen ta mbajë topin në këmbën e tij dhe është futbollist i jashtëzakonshëm”, – u shpreh Xhaka.
Futbollisti me origjinë nga Prishtina që mbron ngjyrat e përfaqësueses së Zvicrës ka një miqësi të mirë me turkun Ozil, ndërsa shpeshherë edhe pas stërvitjeve ata kalojnë kohën bashkë, gjithnjë të shoqëruar edhe nga futbollisti gostivaras, Shkodran Mustafi, që gjithashtu është pjesë e Arsenalit.