Klubi i Llapit, pwrmes një deklaratë për shtyp të Bordit të Aksionarëve, ka hedhur poshtë në orët e vona të së enjtes raportimet se Bylbyl Sokoli është larguar nga drejtimi i skuadrës nga Podujeva.
Në këtë deklaratë, Bordi i Aksionarëve e ka drejtuar gishtin e akuzës nga arbitrat, që i konsideron të vetmin problem në rezultatet e javëve të para të IPKO Superligës së Kosovës: “Kryesia e KF Llapit, pas kthimit nga Ohri të Prof. Bylbyl Sokolit, ka thirrur takim të rregullt pas zhvillimeve të fundit të publikuara në media kinse Prof. Bylbyl Sokoli ka dhënë dorëheqje. Bordi i Aksionarëve ua rikonfirmon edhe njëherë gjithë opinionit dhe dashamirëve të futbollit dhe të KF Llapit se Prof. Bylbyl Sokoli ka përkrahjen e plotë nga bordi i Aksionarëve dhe do të ketë mbështetjen deri në përfundimin e kontratës, ne ia kemi besuar detyrën duke u bazuar në përgatitjen profesionale dhe sportive si kryetrajner i Llapit drejt synimeve të përcaktuara nga Bordi i Aksionarëve.
Dezinformatat në disa portale në bashkëpunim me disa individë jashtë klubit kanë për qëllim prishjen e atmosferës brenda klubit më të organizuar në Kosovë. Ua rikujtojmë edhe një herë se Bordi i Aksionarëve është i bashkuar fuqishëm dhe nuk mund të përqahet, sepse kemi të bëjmë me shumicën e aksionarëve të nivelit lartë, prandaj njoftojmë dashamirët e futbollit dhe në veçanti të Llapit që të mos të bien pre e dezinformatave dhe individëve.
Bordi Drejtues po ashtu shqyrtoi ecurinë e kampionatit deri më tani dhe e vetmja pikë shqetësuese është referimi në përgjithësi, veçanërisht në ndeshjen e fundit Llapi – Flamurtari, e drejtuar nga gjyqtari Fatmir Tahiri, e cila ishte skandaloze dhe në shërbim të dikujt që më së miri e di ky dhe shefi i tij, Përparim Hasani.
Kërkojmë nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, të marrë hapat ligjorë ndaj këtyre dukurive, në të kundërt, ne nuk marrim përgjegjësi në rast se adhuruesit e Llapit do të protestojnë dhe precipiton situata nga këto dukuri negative, në kohën kur futbolli kosovar po ngrihet nga rruga të cilën na e ka trashëguar presidenti legjendar, Fadil Vokrri.
Për të gjitha vendimet që i merr Bordi i Aksionarëve do të njoftoheni me kohë në mjetet e komunikimit zyrtar të KF Llapit.”