Dinamo e Zagrebit i ka mbajtur një leksion të vërtetë futbolli skuadrës së njohur turke të Fenerbahçes, duke e mundur këtë të fundit me rezultatin e thellë 4:1 në ndeshjen e parë të grupit “D” të Liga Europa, njofton “infOSport.mk”.
Vendasit në këtë ndeshje të përkrahur nga tifozët e tyre të flaktë, në “Maksimir” demonstruan një klas të lartë, duke zhvilluar një ndeshje shumë të madhe dhe me shumë vetëbesim.
Dinamo Zagrebi avansoi në minutën e 16-të, kur pas një ekzekutimi të rivënies nga këndi topi arriti deri te Suniç, i cili me të djathtën e tij shënoi për 1:0.
Në minutën e 27-të Gavranoviç pranoi një pasim të gjatë, ndërsa pasi ia doli përballë dy futbollistëve kundërshtarë pasoi për Hajroviç brenda zonës, i cili me të majtën e tij shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Tekin.
Në fillimin e pjesës së dytë Fenerbahçe për pak çaste riktheu intrigat, pasi Nojshtader me kokë nga afërsia pas një harkimi nga rivënia e këndit ngushtoi epërsinë e kroatëve në 2:1.
Megjithatë nuk kaloi shumë kohë nga ky gol dhe Hajroviç duke shfrytëzuar një dhuratë nga mbrojtësit e Fenerbahçes riktheu sërish epërsinë prej dy golave të Dinamos, e cila pas një ore lojë u ngrit edhe në 3 gola pasi Olmo shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e skuadrës nga Stambolli.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Trnava mundi Anderlehtin me rezultatin minimal 1:0.