Shkëndija-Kit Go, një ndeshje në të cilën skuadra kampione e Maqedonisë është favorit absolut. Shkëndija ka kapur formë të mirë pas përfundimit të pjesëmarrjes në Europë dhe përballja me Kit Go pritet me një ecuri prej katër fitoreve të njëpasnjëshme (tre në kampionat me Bellasicën, Shkupin dhe Rabotniçkin, si dhe me Kozhuvin në Kupë).
Triumfi i fundit 6:2 me Rabotniçkin në Tetovë solli performansën më të mirë të kuqezinjëve në sezonin e ri dhe tashmë skuadra do të kërkojë të përsërisë të njejtin nivel edhe me ekipin nga Pehçeva. Duke parë se në lojë janë dy përballje, Shkëndija do të kërkojë rezultat sa më pozitiv në takimin e parë për të pritur më e qetë ndeshjen e kthimit tre javë më vonë.
MUNGESAT
Ashtu si në sfidën e fundit me Rabotniçkin, trajneri Qatip Osmani edhe në këtë përballje nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e brazilianit Stenio Zhunior dhe Mevlan Muratit, të dy ende jashta ekipit shkaku i shqetësimeve me lëndime. Pas pezullimit prej dy ndeshjeve në skuadër kthehet Kostadin Çeshmexhiev, që i shtohet listës të lojtarëve të gatshëm për lojë.
KUNDËRSHTARI I SHKËNDIJËS
Kit Go nga Pehçeva është relativisht kundërshtar i panjohur për kuqezinjë. Vijnë nga një vend i vogël në lindje të Maqedonisë, shumë pranë kufirit me Bullgarinë. Skuadra e futbollit në këtë sezon për herë të parë garon në Ligën e Dytë të futbollit të Maqedonisë, grupi Lindje. Pas katër xhirove të para mbajnë pozitën e pestë me 7-të pikë të tubuara (dy fitore, një barazim dhe një humbje). Pas startit premtues me dy fitore, Kit Go në Tetovë vjen pasi u mund në shtëpi nga Bregallnica e Shtipit dhe barazoi poashtu në fushë të vet me Tikveshin e Kavadarit. Më shumë se inkuadrimi debutues në Ligën e Dytë, skuadrën Kit Go të njohur në opinionin vendor e bëri befasia në xhiron e parë të Kupës së Maqedonisë, kur arritën ta eliminojnë FC Shkupin pas fitores 2:0. Tani mbase kërkojnë befasinë e rradhës, mirëpo kuqezinjtë duken seriozë dhe të gatshëm për të mos lejuar diçka të tillë.
FUTBOLLISTËT MË TË DALLUAR
Te Shkëndija pa dyshim se ligjin e bënë sulmuesi Besart Ibraimi, i cili për të katërtin vit me rradhë është një lider i padiskutueshëm te skuadra “kuqezi”, duke realizuar gola nga të gjitha pozicionet. Ai edhe sot pritet të jetë rreziku më i madh për portën kundërshtare, në këtë rast të Kit Go, që në anën tjetër mund të lëvdërohet me sulmuesin Martin Stojanov, futbollist ky i cili i vetëm eliminoi FC Shkupin me ato dy gola të shënuar. Stojanov realizoi edhe në ndeshjen e fundit kampionale kundër Tikveshit në atë barazim 1:1, ndërsa nuk duhet harruar se te Kit Go luan edhe ish futbollisti i Vardarit, mesfushori Aleksandar Temellkov, si dhe sulmuesi i krahut, Ivan Nastevski, i cili pak para fillimit të edicionit të ri iu bashkua skuadrës nga Pehçeva.
Përballja Shkëdija-Kit Go luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 15:30.