Pelisteri-Bellasica, statistika dhe kuriozitete që duhet ti dini rreth këtij takimi

Është ky viti i tretë me rradhë që Pelisteri dhe Bellasica do të takohen mes tyre në kuadër të Kupës së Maqedonisë. Në dy edicionet paraprake këto dy skuadra mes vete takoheshin që në raundin e parë, me Pelisterin që kishte dalë fitues, ndërsa duke marrë në konsideratë krizën e thellë në të cilën ndodhet skuadra nga Manastiri, mund të jetë ky rasti më i mirë për hakmarrje.

Në sezonin 2016/2017 Pelisteri kishte eliminuar Bellasicën përmes penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt ishte mbyllur me barazimin 2:2, ndërsa edicionin e kaluar Pelisteri kishte qenë dukshëm kundërshtarë më i mirë duke triumfuar në fund me rezultatin 3:1.

ROLI I FAVORITIT

Rolin e favoritit kësaj rradhe e ka skuadra e Bellasicës, që pas vetes ka një sponzor shumë serioz, si “T-Mobile”, ndërsa startin e dobët në kampionat me siguri se kjo skuadër do të tentojë që ta përmirësojë përmes ndeshjeve të Kupës. Edhe pse nga kjo fazë (1/8 e finales) zhvillohen nga dy ndeshje, Bellasica nuk duhet ti lë asgjë rastit dhe dëshira e tyre është që çështjen e udhëtuesit ta zgjidhin që në ndeshjen e parë në Manastir, duke shfrytëzuar edhe krizën në të cilën ndodhet Pelisteri.

Kjo skuadër vitin e kaluar humbi statusin e skuadrës elitare, edhe përkundër faktit se luajti në finale të Kupës së Maqedonisë, ndërsa në mungesë të futbollistëve kualitativ edhe pas 4 xhirove ende nuk e ka shijuar fitoren në kuadër të Ligës së Dytë – Perëndim. 2 barazime dhe 2 disfata është epilogu i skuadrës nga Manastiri, ndërsa aspak më mirë nuk qëndron edhe Bellasica, e cila në 5 xhirot e para në LPFM ka regjistruar 3 disfata dhe 2 barazime, edhe atë në dy ndeshjet e fundit kundër Vardarit dhe Makedonija Gj.P.

Pikërisht këto barazime, mirëpo edhe përforcimet e bëra së fundmi nga ana e drejtuesve të skuadrës së Bellasicës, japin shpresa se kjo skuadër sot në Manastir mund të tregojë shenjat e para pozitive dhe të kap një seri të rezultateve pozitive.

DITË MË TË MIRA PËR PELISTERIN

Pelisteri nuk e ka nsur aspak mirë sezonin e ri në Ligën e Dytë, ndërsa për më tepër kjo skuadër të dyja disfatat i ka pësuar në stadiumin e saj “Tumbe Kafe”. Kjo irritoi tej mase tifozët e tyre “Çkembari”, të cilët përmes një kumtesë kërkonin përgjegjësit e vërtetë për këtë gjendje të mjerrueshme që ka kapluar skuadrën e tyre të zemrës, ndërsa si duket reagimi i tyre ka rënë në vesh të dikujt. Informacionet e fundit nga qyteti i alfabetit shqip, flasin se disa kompani serioze nga Manastiri kanë shprehur interesim për të investuar në këtë klub, një pjesë të akcioneve të të cilit sërish do të jenë në pronësi të Komunës, e cila deri më tash mbante 25%. Tashmë flitet për rritjen e tyre, ndërsa njëkohësisht edhe për investues serioz, të cilët do të nxirrnin skuadrën nga kjo errësirë në të cilën ndodhet. Jo rastësisht thonë se shpresa vdes e fundit…

MUNGESAT

Në mungesë të futbollistëve cilësorë, trajneri i Pelisterit nuk ka edhe shumë hapësira për kalkulime, ashtu që në mesin e 11-të futbollistëve më të mirë mund të luajnë vetëm ata më të përgatiturit, apo më mirë thënë ata që kryejnë me rregull stërvitjet. Një ndër ta pa dyshim është edhe futbollisti shqiptarë Usni Ismaili, i cili po gjen hapësira edhe në formacionin e parë, ndërsa i njëjti pritet të jetë gati edhe për ndeshjen me Bellasicën.

Te kjo skuadër nuk ka futbollistë të lënduar, apo të suspenduar, ndërsa rastin për të debutuar e pret edhe ish futbollisti i FC Shkupit, Stefan Vujçiç, i cili ndeshjen kundër Makedonija Gj.P mbeti në bankinë. Për dallim nga Vujçiç minutat e para i luajtën Drobarov dhe Petrov, ndërsa mbetet të shihet nëse do jetë gati edhe sulmuesi i fundit i transferuar në kohën e duhur, Filip Ivanovski.

Leave a Reply