Real Madrid kthehet në Ligën e Kampionëve. Mbretërimi i tij tashmë shtrihet në 843 ditë, që nga 28 maji i vitit 2016, kur ngriti të njëmbëdhjetin trofe në Milano, duke mposhtur Atletiko Madridin e Diego Simeones.
Pastaj erdhi Çampionsi i dymbëdhjetë dhe i trembëdhjetë, diçka që dukej e paimagjinueshme.
Ky mbretërim është përsëri në provë, në edicionin e ri të kompeticionit në fjalë, që starton sonte për “mbretërit”, me ndeshjen kundër Romës.
Ashtu si çdo fillim, pyetja është nëse do të jetë e mundur të fitojë përsëri, për të katërtën herë radhazi…
Për dikë që beson se Real Madridi mund ta fitojë përsëri këtë trofe, ndoshta tingëllon si mendjemadhësi. Por, nëse e zhytni veten në vitet e mëparshme, askush nuk guxon të thotë se ka ardhur koha për ta lëshuar fronin, se “mbreti” do të përkulet në gjunjë këtë herë. Vetë Arteta, asistent i Pep Guardiolës te Mançester Siti, e ka bërë të qartë se Real Madridi është favoriti kryesor, sërish.
Atletiko Madrid, Juventusi dhe Liverpulli ishin “viktimat” e “merenguesve” në tre finalet e fundit. Përgjatë rrugës ka pasur 13 duele në sezon, mes fazës së grupeve dhe “play-off”. Gjithsej, 39 ndeshje, me 27 fitore, 8 barazime dhe vetëm 4 humbje dhe një gol-averazh 97-40.
Vetëm katër rivalë kanë arritur t’i mundin të bardhët në këtë kohë, edhe pse askush nuk mundi të vazhdojë në raundin tjetër: Volfsburg (2:0), Atletiko Madrid (2:1) dhe Juventus (1:3). Humbja tjetër dhe e vetmja në fazën e grupeve, në këto tri triumfe radhazi, ndodhi në Londër, sezonin e fundit kundër Totenham, shkruan “Telesport”.
Roma është kundërshtari i parë i të “bardhëve” në këtë edicion të ri të garës maksimale kontinentale. Është, gjithashtu, premiera e Julian Lopetegit, i cili do të jetë i vetmi nga nënshkrimet që do të debutojë me Real Madridin në Ligën e Kampionëve, bashkë me portierin Kurtua, i ardhur nga Çelzi.
“Bernabeu” është një fushë e frikshme për rivalët dhe prova është se vetëm Juventusi në sezonin e kaluar ka qenë në gjendje të fitojë aty, edhe pse rezultati nuk ia vlejti për t’u kualifikuar, me atë fund të padëshiruar për Bufon dhe bardhezinjtë. Roma, sigurisht, ka marrë leksione të mira nga Juventusi.
Lopetegi e ka të qartë se është me rëndësi ta fillojë me fitore në shtëpi, kështu që nuk do të ketë shumë surpriza në formacion. Fillimi në kampionat është shembull për t’u ndjekur, me tri fitore radhazi kundër Getafe, Girona dhe Leganés, si dhe një barazim në “San Mamesh” ndaj Atletik Bilbaos.
Ideja nuk do të ndryshojë shumë. Julen Lopetegi e di se pak mund të transmetohet tashmë te disa lojtarë, të cilët kanë nënshtruar pjesën tjetër të ekipeve në Çampions, me një sukses të paparë.
Në qoftë se sundimi i Guardiolës te Barcelona apo i Sakit te Milani nuk mori asnjë debat të tepruar, të bardhët, duke qenë edhe më të mëdhenj, gjithmonë gjejnë një teori kundër. Një “domain”, që është zgjeruar.
Sa i takon formacionit startues të “mbretërve”, çdo gjë tregon se Kurtua do të jetë në portë dhe jo Kejlor Navas, portieri i tre Çampionsave të fundit.
Isko, zëvendësues në barazimin e fundit në “San Mamesh”, pritet të kthehet “violinë e parë”, transmeton “Telesporti”.
Roma, nga ana e saj, nuk arrin në maksimumin e vet në këtë ballafaqim. Nuk është kurrë një kohë e mirë për të luajtur në “Bernabeu”, aq më pak nëse rezultatet e duhura nuk të shoqërojnë. Me shtatë pikë prapa Juventusit në Seria A, ekipi i trajnerit Di Françesko pati kulmin e vet në edicionin e fundit të Ligës së Kampionëve, kur shkruajti historinë duke luajtur deri në gjysmëfinale.
Këtë “stacion’, kryeqytetasit italianë nuk e shkelnin që nga viti 1984, kur ishin finalistë dhe ishin mundur nga Liverpulli.