Skuadra kampione e Kosovës, Drita sezonin e ri në Superligë nuk e nisi mbarë, ku në 5 xhirot e para ka marrë vetëm një fitore dhe 4 disfata, ndërsa para kësaj të fundit drejtuesit e skuadrës nga Gjilani vendosën të shkarkojnë nga detyra e trajnerit, Bekim Isufin.
Sipas asaj që njofton “koreneri.net”, Drita në vazhdim të kampionatit do të drejtohet nga ish trajneri i Shkëndijës, Shpëtim Duro, i cili për herë të fundit drejtoi skuadrën e Flamurtarit në Shqipëri.
Aventurën e tij te skuadra vlonjate, Duro e mbylli pa shumë sukses sezonin e kaluar duke u shkarkuar vetëm pak javë para fundit të sezonit të kaluar, ndësa tashmë në Kosovë janë të bindur se strategu nga Tirana do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin kosovar, duke e bërë madje fakt të sigurt firmën e tij me kampionët në fuqi të Kosovës.
58-vjeçari Duro, Shkëndijën ka drejtuar në dy periudha të ndryshme, edhe atë gjatë sezonit 2013/2014 dhe 2015/2016, ndërsa në Shqipëri përveç Flamurtarit ka udhëhequr edhe skuadrat si Partizani, Skënderbeu, Besa Kavajë dhe Vllazninë.