Gjatë ditës së sotme skuadra kampione e Kosovës në futboll, Drita, pritet të bëjë prezantimin zyrtar të teknikut Shpëtim Duro, i cili në të kaluarën ka udhëhequr edhe Shkëndijën e Tetovës.
Strategu 58-vjeçar nga Tirana me skuadrën gjilanase pritet të firmosë kontratë një vjeçare, duke u renditur në një ndër trajnerët më të paguar.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur për “Telesport” se paga mujore e Shpëtim Duros do të jetë rreth 3500 euro, diku e përafërt me atë të trajnerit të Prishtinës, Mirel Josa.
Për Duron do të jetë kjo eksperienca e parë në futbollin kosovar, duke rrumbullaksuar në këtë mënyrë trekëndëshin Shqipëri-Maqedoni-Kosovë.
Rikujtojmë Duro në dy periudha të ndryshme ka udhëhequr Shkëndijën e Tetovës në futbollin tonë vendor, teksa në Shqipëri kishte drejtuar skuadrat si, Partizani, Skënderbeu, Vllaznia, Besa dhe së fundmi Flamurtarin.
Drejtuesit e Dritës besojnë shumë në kualitetet e Shpëtim Duros, me të cilin shpresojnë të mbrojnë titullin e kampionit, edhe pse do ta kenë të vështirë, sidomos pas startit të dobët, ku në 5 xhirot e para kanë regjistruar vetëm një fitore dhe 4 disfata.