Ardian Nuhiu emërohet ndihmës i Duros te Drita

Pas Shpëtim Duros, drejtuesit e Dritës kanë vendosur që të nënshkruajnë kontratë edhe me Ardian Nuhiun, i cili do të luaj rolin e ndihmës trajnerit të strategut 58-vjeçar nga Tirana, njofton “infOSport.mk”.

Lajmin e kanë konfirmuar vetë drejtuesit e skuadrës gjilanase përmes faqes së tyre zyrtare në “facebook”, ku bëjnë të ditur se me strategun shkupjan kanë nënshkruar kontratë për dy vite.

Dyshja Tiranë-Shkup duhet të kthejë Dritën në rrugën e suksesit, me profesor Duron që do të jetë udhëheqës i projektit të ri të gjilanasve, që sërish pretendojnë të fitojnë ndonjë titull, duke pasur  parasysh se sezonin e kaluar u shpallën kampion, ndërsa në fillimin e këtij edicioni fituan SuperKupën e Kosovës, duke mundur Prishtinën me rezultatin 2:1.

Duro dhe Nuhiu kanë bashkëpunuar një periudhë të shkurtër edhe te Shkëndija e Tetovës kur tiranasi luante rolin e trajnerit, teksa shkupjani ishte ende aktiv si futbollistë i skuadrës tetovare.

Përvoja e Shpëtim Duros si trajner (ka ushtruar mes tjerash Skënderbeun, Shkëndijën, Partizanin dhe Flamurtarin) dhe asistentit të tij ambicioz Ardian Nuhiut (ishte një periudhë trajner i parë i FC Shkupit) besohet të sjellin një frymë të re te Drita e Gjilanit, skuadër kjo që nuk e nisi aspak mirë sezonin e ri, ku në 5 xhirot e para regjistroi vetëm një fitore dhe 4 disfata, që solli edhe shkarkimin e trajnerit Bekim Isufi.

Leave a Reply