Makedonija GJ.P-Bellasica, statistika dhe kuriozitete që duhet ti dini

Në lagjen e Gjorçe Petrovit sot skuadra vendase e Makedonija Gj.P do të mirëpret Bellasicën. Janë këto dy skuadrat që këtë vit u inkuadruan në mesin e më të mirëve, ndërsa bashkë me FC Shkupin janë tre skuadrat e vetme që ende nuk kanë shijuar kënaqësinë e fitores.

Makedonija Gj.P pauzën në kampionatin vendor e shfrytëzoi për një miqësore me Vardarin, ku dolën mjaft të suksesshëm, duke realizuar fitore me rezultatin e pastërt 3:0. Kjo shton ambiciet e tyre edhe për këtë ndeshje ndaj Bellasicës, që barazimin e vetëm e arriti pikërisht ndaj Vardarit në kuadër të javës së katërt.

Pra kundërshtarë i përbashkët në të dyja ndeshjet e fundit për skuadrat përkatëse, që sot me çdo kushte kërkojnë fitoren dhe ngjitjen në tabelë.

RIVALITETI

Mes këtyre dy skuadrave nuk ka edhe ndonjë rivalitet aq të madh. Të dyja skuadrat kanë tifoz që i përcjellin në ndeshjet e tyre, ndërsa ashtu pritet të jetë edhe në përballjen e sotme në lagjene  Gjorçe Petrovit.

HISTORIA

Këto dy skuadra në kuadër të ligës së parë janë takuar që para një dekade, atë kohë kur Makedonija Gj.P ishte skuadër dukshëm më e mirë dhe që luftonte për kreun e tabelës. Tre ndeshjet e fundit mes këtyre dy skuadrave në kuadër të Ligës së parë kanë folur për Makedonija Gjorçe Petrovin, ndërsa kjo skuadër ka dalë fitues përballë Bellasicës edhe në dy ndeshjet e fundit që këto dy skuadra i kanë zhvilluar në Ligën e Dytë, kur skuadrat garonin në vetëm një ligë.

Ndeshja e fundit mes këtyre dy skuadrave ka qenë ajo miqësore e 1 korrikut të këtij viti, kur Bellasica po në stadiumin e njëjtë ku do të zhvillohet edhe takimi i sotshëm kishte shënuar fitore me rezultatin 1:2.

MUNGESAT

Të dyja skuadrat nuk kanë probleme me futbollistë të lënduar, apo suspenduar, ashtu që sot në ndeshjen e javës së 5-të do të zbresin me më të mirët. Makedonija Gjorçe Petrovi ka ndryshuar paksa stilin e lojës, sidomos pas transferimit të disa brazilianëve në këtë fillim sezoni, ku tashmë shihet një skuadër më sulmuese, aty ku mund të veçohet edhe sulmuesi shqiptarë, Ilirid Ademi, i cili skuadrës shkupjane iu bashkua si golashënuesi më i mirë në Ligën e Dytë. Ademi me 16 gola të shënuar me fanellën e Gostivarit ishte më i miri golashënues në të dyja ligat e dyta, ndërsa pas golit të shënuar në miqësoren e fundit ndaj Vardarit, sulmuesi shqiptarë është i gatshëm që një gjë të tillë të bëjë edhe ndaj Bellasicës.

Kjo e fundit në takimin e sotshëm do të jetë me një formacion më ndryshe nga ndeshjet e kaluara, duke pasur parasysh se të drejtë loje përballë Makedonija Gj.P do të kenë edhe 4 përforcimet e fundit, si mesfushori me mjaft përvojë Stefan Vujçiç i ardhur nga FC Shkupi, ish sulmuesi i Rabotniçkit dhe Vardarit, Filip Ivanovski, ish futbollisti i Skopjes, Vardarit, Teteksit dhe Napredokut, mesfushori Vlatko Drobarov dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Nemanja Petrov, që erdhi nga rradhët e Radniçki Pirot.

STADIUMI

Fusha e stadiumit në Gjorçe Petrov nuk ofron kushte aq të mira për lojë. Është një fushë shumë e fortë, ndërsa kjo mund të jetë një përparësi ndoshta për futbollistët vendas, duke pasur parasysh se Bellasica ndeshjete  saj i zhvillon në stadiumin “Mladost” në Strumicë, një stadium ky që ofron kushte fenomenale për lojë.

Leave a Reply