Struga Trim Lum vazhdon të ec me hapa të sigurtë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Skuadra strugane e udhëhequr nga trajneri Aleksandar Tançeski sot në ndeshjen e javës së katërt si mysafir me rezultatin 1:2 mundi Pelisterin, duke konfirmuar në këtë mënyrë krizën në të cilën ndodhet kjo skuadër.
Arben Tafe me golin e realizuar në minutën e 33-të paralajmëroi këtë fitore të struganëve, të cilët ishin superior gjatë gjithë takimit.
Kjo epërsi minimale e Struga Trim Lum ishte valide vetëm deri në minutën e 83-të, kur vendasit e Pelisterit iu gëzuan barazimit me anë të Bllagoja Naumoskit, i cili nga pika e bardhë shënoi për 1:1.
Ky gol solli mjaft gëzim në mesin e futbollistëve vendas, mirëpo që për fatin e tyre të keq zgjati shumë pak, pasi vetëm dy minuta më vonë Samed Sheji shënoi edhe golin e dytë dhe të fitores për Struga Trim Lum, që tashmë e vetmuar me 10 pikë kryeson renditjen në Ligën e Dytë – Perëndim.
Skuadra strugane ka 10 pikë në vendin e parë, ndërsa pas tyre tashmë me 8 pikë renditet Goblen Junior nga Kumanova, që gjithashtu vazhdon pa asnjë disfatë këtë edicion.