Loret Sadiku përfundimisht nuk do të mund të luajë me asnjë përfaqësuese tjetër në të ardhmen, përveç Shqipërisë. Mbrojtësi 27-vjeçar, pjesë e Kasimpasas në kampionatin turk, ka bërë të gjitha përpjekjet për t’u lejuar nga FIFA që të luajë me Suedinë, por përgjigja nga institucioni më i lartë i futbollit botëror ka qenë negative. Menaxheri i përfaqësueses suedeze, Stefan Pettersson, ka theksuar se FIFA i ka kthyer përgjigje negative Federatës, me arsyetimin se Sadiku ka bërë kërkesë një herë për ndryshim të përfaqësueses.
Sadiku ishte larguar nga ekipi U-21 i Suedisë për t’u paraqitur për ekipin A të Shqipërisë, por nuk luajti në asnjë ndeshje me kuqezinjtë. Mbrojtësi preferoi më pas t’i bashkohej Kosovës, duke u aktivizuar në miqësoret jo zyrtare, por kur “Dardanët” u pranuan në FIFA, ai nuk u lejua të ishte pjesë e formacionit që atëherë drejtohej nga Bunjaku, pasi kishte ndryshuar një herë kombëtaren (La Suedinë për Shqipërinë). Në këtë situatë, 27-vjeçari bëri përpjekjet e fundit për t’u lejuar të kthehej te Suedia, por përgjigjja e FIFA-s ishte negative. Kjo do të thotë se Loret Sadiku ka vetëm një mundësi, të përfaqësojë Shqipërinë, sigurisht nëse Federata Shqiptare e Futbollit dhe trajneri e vlerësojnë se ndihma e tij nevojitet te kuqezinjtë.