Skuadra e Kozhuvit që garon në Ligën e Dytë – Lindje, gjatë ditës së nesërme në terren vendas do të ketë nderin të luaj ndaj skuadrës kampione dhe njëkohësisht fituesit aktual të Kupës së Maqedonisë, Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.
Pikërisht edhe ndeshja e nesërme mes këtyre dy skuadrave i takon raundit të parë të Kupës, ku Shkëndija futet si favorit absolut. Lidhur me këtë takim për portalin tonë u shpreh sulmuesi shqiptarë i Kozhuvit, Emir Skenderi. Ai foli për pritjet që kanë si skuadër nga kjo ndeshje, atmosferën në skuadër, por edhe në gjithë qytetin juglindor të Maqedonisë, që nesër do të ketë nderin të jetë nikoqir i skuadrës më të mirë në vend.
“E dimë se Shkëndija është favorit në këtë ndeshje. Ata janë një ndër skuadrat më të mira në Maqedoni, ashtu që neve do futemi në këtë ndeshje për të dhënë maksimumin. Mendoj se nuk kemi se çfarë humbi ndaj një kundërshtari të madh, siç është Shkëndija, por vetëm mund të përfitojmë, pasi ndeshje të këtilla na bëjnë më të fortë. Atmosfera në klubin tonë është shumë e mirë, ashtu që në fund presim një rezultat pozitiv”– u shpreh Skenderi.
Në këtë përballje te Kozhuvi për shkak të kartonit të kuq nuk do të mund të luaj, Niki Zumrovski, ndërsa edhe dy të tjerë nga formacioni bazë janë në dyshim. Ndeshja Kozhuvi-Shkëndija starton në ora 15:30.