Kampionatit Europian në Volejboll për femra për moshën 19 vjeçare i ka ardhur fundi mbrëmjen e së dielës në Parkun Olimpik “Feti Borova” në Tiranë. Kampione Europe është shpallur Italia e cila pasi ka marrë fitoren e vështirë me përmbysje ndaj Rusisë, ka ngritur kupën lart në këtë 9 shtator.
Ndeshja ka qenë rivalizuese, një “luftë në parket” nga seti i parë deri në setin e pestë, tre setet e fundit janë fituar nga Italia që më në fund pas dy setesh të humbura gjeti çelësin e suksesit.
Epërsia e italianeve u dukë edhe në setin e parë por në 5 pikët e fundit ruset u treguan më të përqendruara dhe gjakftohta duke ju rrëmbyer “sy më sy” setin me një rezultat 24-26. Seti i dytë, i gjeti të rëna psikologjikisht fqinjet të cilat gabonin shumë duke ja falur një tjetër fitore ruseve në shifrat 18-25. Por zgjimi i italianeve ka ardhur në pikët e fundit të setit të tretë, aty ku kuptuan se po ju ikte situata nga dora, zgjimi bëri që të fitonin këtë set në pikët shtesë. Seti i katërt, totalisht italian, ruset humbisnin shumë pikë në bllok dhe në top të parë çka bëri që italianet të merrnin zemër duke qenë shumë pranë përmbysjes.
Seti i pestë, ka rezultuar një luftë e ashpër, pikë më pikë e kokë më kokë i luftuar, i dejntë për një finale, por në pikët e fundit italianet kontrollojnë emocionet dhe menaxhojnë situatën duke u shpallur kampione Europe.
Ndërkaq Polonia i ka marrë vendin e tretë nga duart Turqisë, në një ndeshje po aq të luftuar sa finalja e zhvilluar në 5 sete.
Të pranishëm kanë qënë zyrtar të lartë, dy ambasadorët e vendeve finaliste dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.