Gjatë ditës së djeshme FC Shkupi në Çair pauzën në kampionatin vendor e shfrytëzoi për një miqësore me Vëllazërimin e Kërçovës që garon në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra “bardhekaltër” e udhëhequr nga strategu turk Hajati Sojdash shënoi fitore 4:1, që njëherit ishte edhe fitorja e parë e FC Shkupit nën drejtimin e tij, duke pasur parasysh se ndaj Shkëndijës debutoi me disfatë.
Mirëpo një super debutim bëri Viktor Angellov, i cili skuadrës së FC Shkupit iu bashkua vetëm ditën e fundit të merkatos së verës, duke ardhur nga rradhët e Ujpeshtit hungarez. Angellov shënoi dy gola në këtë përballje, ndërsa golat e parë me fanellën e FC Shkupit i realizuan edhe Artan Veliu dhe braziliani Serzhinjo.
Në anën tjetër golin e vetëm për Vëllazërimin e realizoi Murat Adili nga pika e bardhë.