Përfaqësuesja e Maqedonisë sot në “Telekom Arena” në Shkup mundi Armeninë me rezultatin 2:0 në ndeshjen e dytë të grupit të katërt në Ligën “D” të Ligës së Kombeve. Ishin Alioski dhe Pandev ata që menduan për fitoren e “verdhekuqve” në këtë ndeshje, në të cilën një super paraqitje bëri dyshja mbrojtëse e Shkëndijës, Visar Musliu-Egzon Bejtullai, njofton “infOSport.mk”.
Që të dy ishin të pagabueshëm në mbrojtje, ndërsa me siguri se paraqitjet e përbashkëta te Shkëndija bënë që edhe trajneri Angellovski të vendoset për këtë dyshe në repartin difenziv. Dhe nuk gaboi, pasi Musliu dhe Bejtullai ia dolën me mjaft sukses përballë sulmuesve armen, duke mos ju lënë hapësirë për të ardhur në shprehje para portës së Dimitriveksit.
Si duket përvoja e tyre edhe nga ndeshjet ndërkombëtare të Shkëndijës këtë edicion ka bërë që këto dy super talentë të përfitojnë atë përvojën e duhur, e cila me siguri se do të jetë e mirëseardhur edhe për përfaqësuesen e Maqedonisë në ndeshjet e ardhshme, e ku Maqedonia pretendon të nxjerrë maksimumin dhe përmes Ligës së Kombeve të prek Europianin e vitit 2020.