Leonel Pontes ishte themelor në karrierën njerëzore dhe teknike të Cristiano Ronaldos. Ai qe trajneri i parë, i ngarkuar me ndjekjen e CR7, kur ishte shumë i ri, në vitin 1997, teksa arriti te Sporting Lisbona.
Jo vetëm kaq, por Pontes kishte detyra delikate për t’u kujdesur për edukimin e Ronaldos shumë të ri, për ta ndihmuar atë në përvojën e parë larg shtëpisë.
Një lloj “tutori”, pjesërisht për shkak se ata ishin të dy me origjinë nga Madeira. Në intervistën e dhënë për “Gazzetta Dello Sport”, ndër të tjera, trajneri i parë i Cristiano Ronaldos ka nënvizuar:
Në çfarë moshe e keni takuar Ronaldon?
Ai ishte 12 vjeç, e kam takuar në ishullin e Madeiras. E pashë për herë të parë në mars 1997, në një turne të futbollit në “Camara de Lobos”. Aty u njoha edhe me kumbarin e tij, i cili më tha se kishte një lojtar me cilësi të mëdha dhe karakteristika unike…
Çfarë përshtypjesh ju la, kur e patë?
Ai ishte një djalë i hollë, si një furçë, por me sy tejet të gjallë. Një profil atleti për moshën e tij.
Fizikisht, si ishte?
Asokohe ishte i vogël, por kishte konstrukt të mirë. Ishte e mjaftueshme për të parë atë në një moment, për t’u bindur se kishte cilësi të shkëlqyera me topin. Për siguri, pyeta disa nga trajnerët e mi për informacion. Askush prej tyre nuk kishte parë një të ri, me një potencial të tillë.
A mbani mend diçka të veçantë nga trajnimi që i keni bërë Ronaldos, kur ju ka mërzitur?
Më kujtohet një anekdotë e veçantë, që demonstron përkushtimin e Ronaldos ndaj punës. Sapo e takova në fund të një stërvitjeje, e pyeta: “Çfarë po bën? Pas punës tuaj në fushë, ju duhet të pushoni. Dhe ai m’u përgjigj: Profesor, duhet ta bëj, duhet të jem i shpejtë me këmbët. Ai vendoste pesha në këmbët e tij dhe për një kohë vazhdonte të punonte ashtu. Kjo kohë më bëri të humbas durimin tim. Por tani, pas shumë vitesh…
Ndonjë periudhë të errët të tij, mund të na kujtoni?
Ka pasur kohë të vështira, kur ai donte të shkonte në shtëpi. Nuk duhet të harrojmë se në kohën kur ishte vetëm 12 vjeç, ai ishte larguar nga ishulli për në një qytet të madh, Lisbonë, pa asnjë lloj mbështetjeje familjare. Në fund të vitit të parë të stërvitjes, ai kaloi një pushim në shtëpinë e prindërve të mi, në Madeira. Nëna ime më pyeti nëse ai djalë, Ronaldo, do të bëhej futbollist. Unë iu përgjigja se isha i sigurt, Cristiano do të shpërthejë.
Diçka mbi vendlindjen e tij, Madeira…
Është një ishull, që ju lë një shenjë të thellë. Dhe ai është mirënjohës, e ka Madeirën në zemrën e tij dhe do që të kthehet në shtëpi sa herë që të mundet. Cristiano është krenar që është bërë simbol i vendlindjes së vet. Madeira i detyrohet shumë atij: si edhe për turizmin. Ishulli ynë është i njohur më shumë prej CR7. Muzeu “Funchal” është, po ashtu, një tërheqje e pabesueshme për turistët.
Cilin shihni si trajnerin më të rëndësishëm për CR7?
Sigurisht Ferguson, por merita më e madhe është me të vërtetë e tij, e Cristianos. Ai ka një forcë unike mendore, pasion dhe përkushtim në lojë, duke e tejkaluar gjithmonë veten. Kjo e ka bërë atë një fenomen, që kur ishte fëmijë.
Te Juventusi nuk e ka gjetur ende golin…
Shënimi i golave ka qenë gjithmonë specialiteti i tij, por në Seria A, e përsëris, ekipet italiane mbrojnë shumë mirë dhe lejojnë fare pak hapësira. Së shpejti do ta shohim atë duke shënuar, sepse ka qenë gjithmonë në gjendje ta bëjë këtë . Ai duhet të mbetet i lumtur dhe të mbajë pasionin gjallë.
A u habitët nga lamtumira e kësaj vere për Real Madridin dhe kalimi i tij te Juventusi?
Nuk u habita nga fakti që ai u largua nga “Los Blancos”, sepse ishte zhgënjyese edhe për mua për mungesa e përkrahjes në disa çështje profesionale dhe private. Ai është një njeri që jeton me sfida të mëdha, kështu që zgjodhi Juventusin. E di se ai është shumë i motivuar, dëshiron t’iu përgjigjet pozitivisht pritshmërive në një kampionat shumë të vështirë. Ekipet e Seria A gjithmonë mbrojnë shumë mirë dhe ka më pak hapësirë për sulmuesit, por jam i sigurtë se Ronaldo, gjithashtu, do të mbizotërojë edhe në Itali. Me fuqinë e vullnetit, CR7 mund të bëjë gjithçka.