“Duel në themel”, aty ku nisi gjithçka, në ato troje shqiptare ku lindën heronjtë. Sot pas shumë dekadash, heronjtë janë të tjerë, nuk luftojnë në fushëbetejë, por në ring, për të bërë krenar popullin e tyre. Gjetan Keta do të ketë një përballje të një shkalle vështirësie maksimale, megjithatë në vitin e Skënderbeut, luftëtari kuqezi është përgatitur deri në kufijtë që trupi i lejon, për të thyer kundërshtarin boshnjakut Sladan Janjanin.
Beteja sportive ka një çmim mjaft të lartë, pasi do të duelohet për titullin e kampionit të botës në federatën WBU për peshat e mesme. Keta, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe është stërvitur maksimalisht nën monitorimin e vëllait të tij, ish kampionit Ismail Keta, vjen në këtë supersfidë me një rekord prej 22 fitoresh, 18 prej të cilave me knock-out.
“Iron Mike”-ut shqiptar iu desh të përshtatej me kundërshtarin e tij pasi fillimisht ishte programuar që përballë të kishte meksikanin Paul Venezuela Junior, por ky i fundit u tërhoq për shkak të një aksidenti dhe vendin e tij e mori pikërisht Janjanin. 27-vjeçari nga Travniku ka një rekord për t’u vlerësuar ku numëron 25 fitore, nga të cilat 19 i ka arritur me “knock-out”, pra një rival aspak komod për luftëtarin nga Bulqiza.
Keta, pas një periudhe shkëputjeje për shkak dëmtimi, u rikthye në ring në muajin qershor, duke mposhtur me “knock-out” kolumbianin Deivis Caseres, teksa tashmë duket plotësisht gati për këtë superduel që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në Dibër të Madhe duke filluar nga ora 19:00.
“Main Eventit” do t’i paraprijë një tjetër sfidë mjaft interesante. Ferit Keta me një rekord të përsosur në boksin profesionist prej 10 fitoresh dhe asnjë disfate, do të ketë përballë turkun Fatih Mehmet Karakus. 29-vjeçari do të synojë suksesin e 11-të radhazi.