Maqedonia U21 pa asnjë shqiptarë në formacion dorëzohet përballë Serbisë

Përfaqësuesja U21 e Maqedonisë në ndeshjen e saj të 7-të në kuadër të grupit të 7-të eliminatorë për Europianin e vitit të ardhshëm, ka pësuar edhe disfatën e 6-të, duke u mundur 2:1 në transfertën ndaj Serbisë, njofton “infOSport.mk”.

Në këtë ndeshje trajneri Dobrinko Ilievski vendosi të luajë pa asnjë futbollistë shqiptarë, duke lënë kështu në bankinë Agron Rufatin dhe Agon Hanin, ndërsa nga minuta e 61-të në lojë u inkuadrua ish futbollisti i Shkëndijës, Enis Fazllagiç.

Serbët golin e parë në këtë ndeshje e realizuan në minutën e 28-të përmes një penaltie të dyshimtë, kur Amanoviq pa nevojë tërhoqi Jovanoviçin në zonën e rrezikut në momentet kur vendasit po ekzekutonin rivënie këndore, ndërsa arbitri tregoi në pikën e bardhë. Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri, Ivan Shaponjiç, i cili nuk gaboi dhe në ato momente kaloi në epërsi Serbinë.

Tre minuta më vonë futbollisti i Bursaspor, Jani Atanasov u gjet para një mundësie të mirë, por goditi mbi portë. Para mbylljes së pjesës së parë Shaponjiç kishte edhe një rast tjetër të shkëlqyeshëm, mirëpo Stevkovski ndali goditjen e tij nga një afërsi prej pesë metrash.

Të parët që u kanosën në pjesën e dytë ishin futbollistët e Maqedonisë, të cilët në minutën e 53-të u kanosën me anë të Milan Ristovskit. Ky rast paralajmëroi edhe golin e shënuar 10 minuta më vonë nga ana e Tihomir Kostadinov, i cili shfrytëzoi asistin e Manevskit.

Golin e fitores Serbia e realizoi në minutën e 80-të, kur Lazar Ranxhelloviç, preku topin pas një goditje dënimi.

Në fund fitore për Serbinë, skuadër kjo që regjistroi në këtë mënyrë edhe fitoren e 7-të nga po aq ndeshje, dhe me hapa të sigurtë po ecën drejt Europianit të vitit 2019-të. Serbia me 21 pikë mban pozitën e parë, duke lënë pas vetes Rusinë me 16 pikë, teksa Maqedonia me vetëm 3 pikë renditet në pozitën e fundit të grupit.

FORMACIONI I MAQEDONIA U21 NDAJ SERBISË:
Stevkovski, Jovanov, Trajanovski, Amanoviq, Manevski, Atanasov (Çurlinov 74′), Kostadinov, Zdravkovski, Gjorgjev, Ristovski (Krstovski 86′), Petkovski (Fazllagiq 61′);
Seleksionues: Dobrinko Ilievski

Leave a Reply