Braziliani Marselo i Realit të Madridit, dhe francezi Poll Pogba i Mançester Junajtedit mbeten mes objektivave kryesorë për janarin dhe qershorin e ardhshëm për Juventusin, drejtuesit e së cilës skuadër megjithatë po shohin edhe disa alternativa tjera. Pasi Reali nuk ka ndërmend të heq dorë aq lehtë nga Marselo, ndërsa duke marrë në konsideratë edhe interesimin e Barcelonës për francezin, Pogba, dy drejtuesit e “bardhezinjëve”, Marotta dhe Paratici, po punojnë për një plan B.
Mbrojtësi i krahut të majtë mbetet gjithsesi një përparësi edhe pse duhet pritur ndikimi që do të ketë Spinacola në ekipin “bardhezi”.
Gjithsesi, emrat e tjerë të listës janë ato të Felipe Luis, 33-vjeçari që duket se është drejt largimit nga Atletiko Madridi, me këta të fundit që e vlerësojnë 30 milionë euro.
Spanjolli Markos Alonso, nga ana tjetër është më i ri, 27 vjeç, në kulmin e pjekurisë së tij dhe protagonist i një fillimi shumë të mirë të sezonit me Çelzin e Sarrit. Kosto e tij është 60 milionë euro, por duhen bërë llogaritë edhe me interesimin e Atletiko dhe Real Madridit, dy skuadra tjera që po e vëzhgojnë vazhdimisht.
Për sa i takon mesfushës së “Zonjës së Vjetër”, ëndrra e madhe, me përjashtim të Pogbas, është edhe Milinkovic-Saviç i Lacios, për shërbimet e të cilit presidenti Lotito kërkon 100 milionë euro.
Sigurisht, është një operacion që ka më shumë mundësi të realizohet në qershor se sa në janar, por “Zonja e Vjetër” do të provojë edhe merkaton që vjen, njëjtë sikurse do të tentojë edhe për Adrien Rabiot, i cili ende nuk ka rinovuar me PSZH-në dhe mbetet në shënjestrën e Juventusit.
Megjithatë për të marrë shërbimet e këtij të fundit, Juve do të duhet të fitojë garën edhe me Barcelonën dhe Milanin, dy skuadra këto që gjithashtu po ndjekin situatën rreth mesfushorit francez.