Ndeshja me Izraelin është gjithnjë një sfidë e veçantë për sa i përket sigurisë.
Duket sikur ndeshja kalon në plan të dytë dhe këtë e tregojnë dhe masat e marra.
Kjo u pa qartë edhe pasditen e djeshme kur kombëtarja izraelite zbarkoi në “Elbasan Arena” për të kryer seancën stërvitore, teksa skuadra mbërriti në stadium me katër furgonë dhe autobusë, duke hyrë menjëherë në ambientet e brendshme të impiantit.
Në çdo pallat aty pranë dhe në stadium ishin vendosur snajperë për të kontrolluar çdo lëvizje të dyshimtë aty përreth.
Çdo gjë që hynte në stadium kontrollohej nga qentë anti-eksplozivë dhe këtij rregulli nuk i shpëtuan as qeset me akull që i nevojiteshin skuadrës.
Për banorët aty pranë ndeshje të tilla janë kthyer në një makth më vete, por siguria me sa duket vlen mbi të gjitha kur luan Izraeli.
Kuptohet që stadiumi është kontrolluar i gjithi para seancës së djeshme stërvitore, si edhe një gjë e tillë do të bëhet edhe ditën e sotme, ndërkohë që stadiumi do të jetë i survejuar deri në përfundim të ndeshjes.