Me një shkrim të publikuar të mërkurën, gazeta e madhe zvicerane “Blick” ka vazhduar të sulmojë Xherdan Shaqirin, yllin e futbollit shqiptar, por edhe të përfaqësueses së Zvicrës.
Felix Bingesser, përgjegjës për rubrikën e sportit në “Blick” e ka vlerësuar budallallëk një deklaratë të Shaqirit të dhënë të martën në konferencë për shtyp. Në mënyrë indirekte ai ka sulmuar edhe Granit Xhakën.
“Të martën në konferencë për shtyp dolën pesë lojtarët kryesorë të Zvicrës, së bashku me përzgjedhësin dhe përfaqësuesin e Federatës.
Kapiteni Stefan Lishtajner kërkoi falje për festën me shqiponjë, në të cilën ai i ishte bashkuar Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit në fitoren ndaj Serbisë në Botërorin e fundit në Rusi. Edhe Xhaka e Shaqiri folën për atë festim që bëri bujë në Zvicër. Të dy u munduan të arsyetojnë festën që kanë bërë, ndërsa Xhaka tha se nuk do ta përsërisë më. Asnjëri prej dy shqiptarëve nuk kërkoi falje direkt. Shaqiri tha se do të kërkonte falje nëse njerëzit në Zvicër do të ndiheshin të sulmuar nga festa e tij. Dhe asaj fjalie ia bashkoi fjalën “njerëzit në male”, shkruan FaktePlus.
Në këtë detaj është kapur përgjegjësi i “Blick” për sport, që ka vazhduar sulmet ndaj yllit shqiptarë të Liverpullit.