Mbrëmjen e sotme nis rrugëtimin e tij kompeticioni më i ri i organizuar nga UEFA, Liga e Kombeve.
Edicioni i parë që do të zhvillohet në shtator, tetor e nëntor të 2018-ës dhe në mars të 2020-ës do të zëvendësojë fazën “play-off” të Euro 2020 dhe do të dhurojë 4 biletat e fundit për në europianin e ardhshëm.
Dhe që në startin e saj do të jemi dëshmitar të një super përballje, kur sonte në “Allianc Arena” në Munih, nikoqirët e Gjermanisë, ish kampion të Botës, do të mirëpresin kampionët e ri të Francës.
Të dyja kombëtaret do të luajnë me formacionet më të mira të mundshme pasi kjo është një sfidë që vlen shumë për kreun e grupit. Portieri dhe kapiteni i Francës Hugo Lloris ka pësuar një dëmtim me Totenhamin e tij dhe Deshamp do ta ruajë sot për ta patur të gatshëm për ndeshjen e ardhshme.
Në vend të tij në portën e “gjelave” do të aktivizohet Areola i Paris Sen Zhermenit, ndërsa Mendy pritet t’i marë vendin mbrojtësit të Atletiko Madridit, Lukas Hernandez në krahun e majtë.
Pjesa tjetër e skuadrës do të jetë e njëjta Francë që fitoi Kupën e Botës rreth 2 muaj më parë në Rusi.
Nga ana tjetër trajneri i Gjermanisë Lov do të aktivizojë që nga fillimi në mesfushë yllin e ri të Bajernit të Munihut, Leon Goretzka në mesfushë përkrah Kros dhe Gjundogan, ndërsa në krahun e majtë të mbrojtjes pritet të debutojë futbollisti i Hertës së Berlinit, Niko Shulc.
Gjermani-Francë do të startojë në orën 20:45, ndërsa këtë spektakël do të mund ta ndiqni në ekranet e Digitalb SuperSport.