Starti i mbrojtjes së trofeut të Kupës së Maqedonisë nga ana e Shkëndijës do të presë, pasi sfida e raundit të parë me Kozhufin e Gjevgjelisë sërish është shtyrë.
Takimi i paraparë të luhej të mërkurën (5 shtator) në Gjevgjeli është shtyrë për shkak se Shkëndija ka të përfshirë gjashtë futbollistë në ekipet përfaqësuese (Musliu dhe Bejtullai janë grumbulluar me Maqedoninë, Shefiti dhe Zjenullai me Shqipërinë U21, Leard Sadriu me Kosvën U21 dhe Ensar Luma me Maqedoninë U19) dhe i njejti tashmë është caktuar për datën 12 shtator.
Ndryshe kjo është hera e dytë që kjo ndeshje ndryshon termin, pasi paraprakisht e njejta nuk mundi të zhvillohet në orarin fillestar 22 gusht shkaku i angazhimeve të kuqezinjëve në eliminatoret e Kupave të Europës.
Shtyrja e ndeshjes të së mërkurës ka sjellë ndryshim të orarit të punës së kuqezinjëve.
Stafi teknik u ka dhënë futbollistëve dy ditë të lira, kështu që skuadra në stërvitje kthehet të enjten.