Shqiptarët e Zvicrës kërkojnë falje për “shqiponjën”!

Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka kanë kërkuar falje publikisht ndaj tifozëve zvicerane se kanë festuar me “shqiponjë”. Në një tentativë që ngjan shumë dëshpëruese për të kthyer përsëri në favor të tyre publikun zviceran, dy futbollistët me origjinë shqiptare, ashtu si edhe kapiteni Lihtshtajner, kanë dalë sot para mediave dhe kanë folur për herë të parë publikisht rreth asaj ngjarje.

“Do të ishte budallallëk nëse do ta bëja përsëri. Nuk do të ndodhë më”, ishin fjalët e Granit Xhakës, i cili po bën gjithçka për t’u bërë kapiten i kombëtares zvicerane por që pas ndeshjes me Serbinë në Botëror ka kundër të gjithë opinionin publik.

“Sigurisht, kërkoj falje nëse njerëzit e ndjejnë veten të prekur kur kanë parë ndeshjen në Zvicër”, ishin fjalët e Shaqirit, ndërsa edhe Lihtshtajner, i cili “kopjoi” veprimin e tyre, nuk ngurroi të kërkonte falje gjithashtu. “Ndjesë, nuk dëshiroja të shqetësoja askënd”, tha ai.

Një tërheqje publike që duket shumë absurde duke menduar se vetë këta lojtarë e mbrojtën një gjest të tillë menjëherë pas ndeshjes duke e quajtur normal. Vetëm pasi të tre rrezikuan përjashtimin nga përfaqësuesja e Zvicrës, apo të mos kishin më rol kryesor në radhët e saj, vendosën të kërkonin falje publike.

Gjithçka është pasojë e një mbledhje të zhvilluar dje në grumbullimin e përfaqësueses së Zvicrës ku u është bërë e qartë lojtarëve, sidomos atyre me origjinë shqiptarë, se nuk do t’u tolerohen sjellje të tilla në të ardhmen. (vipsport.al)

Leave a Reply