Një super ndeshje me plotë 5 gola të shënuar, atmosferë impozante, raste për gol dhe futboll cilësor. Kështu mund të përshkruhet derbi i parë lokal midis Genç Kalemler dhe Gostivarit në Ligën e Dytë – Perëndim, ku në fund fitorja u takoi futbollistëve vendas me rezultatin 3:2.
Emir Aliu paralajmëroi fitoren e Genç Kalemler, ndërsa po i njëjti futbollist shënoi edhe një tjetër gol, para se Lavdrim Skenderi i Gostivarit të ngushtonte rezultatin në 2:1. Loja e mirë e vendasve bëri që ata përmes ish futbollistit të Gostivarit, Maliq Beluli, të shënojnë edhe golin e tretë, me të cilin u mbyll pjesa e parë e këtij takimi.
Me dy gola epërsi, Genç Kalemler në pjesën e dytë u tërhoq me vetëdije, duke kërkuar golin eventual përmes kundërzbritjeve, ndërsa Gostivari ishte skuadra që sulmonte, mirëpo gjithçka që arritën të bëjnë ishte goli i dytë i shënuar nga ana e Betim Miftarit.
Me këtë fitore Genç Kalemler tregoi se fitorja e para një jave në transfertë ndaj Pelisterit nuk ishte e rastësishme, ashtu që me 7 pikë, po aq sa ka edhe Struga Trim Lum kryesojnë tanelën e klasifikimit, duke lënë pas vetes Gostivarin me 6 pikë.