FC Shkupi-Shkëndija, a kanë të drejtë loje futbollistët e ri të transferuar?

Dita e fundit e merkatos së verës në futbollin vendor solli edhe disa transferime në mesin e  dy skuadrave që sot do të ndajnë mejdanin mes tyre në Çair, FC Shkupit dhe Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra “bardhekaltër” pas startit jo të mirë ishte më aktive në ditën e fundit, duke angazhuar tashmë ish futbollistin e Ujpeshtit, Viktor Angellov, ndërsa gjithashtu nënshkruajtën kontratë tre vjeçare me qendërmbrojtësin nigerian, Onyebuchi Emmanuel Ifeanyi. Ata gjithashtu arritën marrëveshje me Konjaspor për huazimin e Erdon Dacit, lëvizje kjo që do të ndodh vetëm nëse UEFA do të jap dritën jeshile.

Në anën tjetër Shkëndija ditën e fundit arriti që të angazhojë sulmuesin shqiptarë, Samir Fazli, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës kroate të Rudesh.

Por parashtrohet pyetja nëse ndonjëri prej këtyre do të ketë të drejtë loje në takimin e sotëm. “infOSport.mk” mëson se asnjëri prej tyre nuk do të mund të paraqitet në këtë përballje, pasi ende nuk kanë kompletuar të gjitha dokumentacionet, të cilat janë bazë për regjistrimin e tyre në Federatën e futbollit të Maqedonisë. Kësisoj që të gjithë këta do të presin rastin e tyre vetëm pas dy javëve, kur në program janë ndeshjet e javës së 5-të.

Shkupi do të ketë një transfertë të vështirë ndaj Vardarit dhe prezenca e përforcimeve të reja do të ishte e mirëseardhur, ndërsa Samir Fazli ka gjasa të debutojë që në ndeshjen  e 5 shtatorit kundër Kozhuvit në kuadër të Kupës së Maqedonisë, kuptohet nëse kryhen të gjitha procedurat e dokumentacionit, në të kundërtën paraqitjen e tij të parë me fanellën e Shkëndijës do të mund ta ketë në përballjen e 16 shtatorit kundër liderit aktual, Rabotniçkit.

Leave a Reply