Sulmuesi shqiptarë, Samir Fazli i ka thënë “PO” Shkëndijës, me të cilën skuadër ka nënshkruar kontratë një vjeçare, me opsion që të njëjtën ta vazhdojë edhe për një vit tjetër, njofton “infOSport.mk”. Samir Fazliu kontratën me “kuqezinjtë” nga Tetova e kishte nënshkruar mbrëmë në praninë e menaxherit të tij Shaqir Rexhepi, ndërsa vetëm gjatë ditës së sotme është prezantuar me fanellën e Shkëndijës.
27-vjeçari Fazliu në këtë mënyrë rikthehet pas plotë 9 viteve në futbollin vendor, aty ku së fundmi ishte pjesë e Makedonija Gjorçe Petrovit, nga e cila skuadër verën e vitit 2009 ishte transferuar te skuadra holandeze e Herenven.
Gjatë karrierës së tij ndërkombëtare, Samir Fazli gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Helmond Sport në Holandë dhe Will 1900 në Zvicër, ku për një kohë kishte luajtur bashkë me Gjelbrim Taipin, një ish futbollistë të Shkëndijës.
Para se të transferohej te skuadra kampione e Maqedonisë, Fazliu mbronte ngjyrat e skuadrës kroate të Rudesh, për të cilën sezonin e kaluar zhvilloi 18 ndeshje kampionale, duke realizuar edhe 5 gola.