Seleksionuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi gjatë ditës së sotme ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet zyrtare e Ligës së Kombeve, edhe atë kundër Izraelit me datë 7 shtator dhe Skocisë me 10 shtator. Strategu italian për këto dy ndeshje ka ftuar gjithsej 25 futbollistë, në mesin e të cilëve është edhe shkupjani Besir Demiri. Për shkak lëndimeve pjesë e këtij grumbullimi nuk do të jenë Armando Sadiku dhe Odise Rroshi, ndërsa rikthehet Ansi Agolli, me të cilin Demiri do të luftojë për një vend titullari në krahun e majtë të mbrojtjes.
“Liga e Kombeve është një kompeticion shumë thelbësor për ne. Tani nisin ndeshjet që kanë shumë rëndësi. Shqipëria nuk është Brazili, por është një skuadër e mirë kur është e plotë. Jam shumë i kënaqur që na rikthehen shumë lojtarë, të cilët na kanë munguar në takimet e fundit. Jam përpjekur të thërras futbollistë me më shumë përvojë për këto dy takime në këtë grup shumë të ekuilibruar siç jemi ne. Duhet të bëjmë një start shumë të mirë në fushën tonë, në një kohë që në Skoci, në “Hampden Park” duhet të jemi me shumë zjarr në fushë, pasi është një stadium që të vë në një presion shumë të madh. Sidoqoftë tashmë na janë kthyer shumë lojtarë dhe do të punojmë shumë gjatë këtyre ditëve. Në lidhje me rikthimin e Agollit nuk e kam thënë kurrë që nuk do ta thërras Ansin në ekipin kombëtar, por kam thënë që gjatë këtij viti me ndeshje miqësore do të mundohemi të gjejmë zëvendësuesin. Kam thënë që në momentin që do të na shërbejë dhe do të na japë një dorë do e thërrasim. Dhe kështu ndodhi. Sa i përket portës është problemi më i vogël që kam. Si Strakosha që po luan dicka më shumë, dhe Berisha që po luan pak janë dy portierë të cilët japin garanci maksimale në portë”,- theksoi trajneri Panuçi.
Skuadra kombëtare nga dita e dielë në darkë dhe të hënën në mesditë do të nisë grumbullimin, ku pritet që të gjithë futbollistët e ftuar të zbarkojnë në Tiranë. Seancën e parë Panuçi me skuadrën e tij do ta zhvillojë ditën e hënë në rezort “Tropikal” në Durrës në orën 17.30 minuta.