Skuadra kampione e Maqedonisë në futsal, Velesi ka humbur betejën kryesore ndaj skuadrës malteze të Valeta, që vendoste se cila prej këtyre dy skuadrave do të udhëtonte në turneun kryesor që nga data 2 deri me 7 tetor do të mbahet në Sllovaki.
Pas dy fitoreve të njëpasnjëshme në start ndaj Futsamba NAAS dhe Kosmos Talin, sonte në palestrën “Jane Sandanski” në Aerodrom, skuadra e Velesit u mund nga Valeta me rezultatin 8:5 (2:1). Fillimi nuk paralajmëroi një fund të tillë, pasi skuadra përfaqësuese e Maqedonisë avansoi me golin e shënuar nga Igor Stojkovski. Këtij goli iu kundërpërgjigjë Kamilo Gomez, që realizoi dy gola të njëpasnjëshëm, me të cilët u mbyll edhe pjesa e parë.
Pjesa e dytë prodhoi më shumë gola, mirëpo ekipi maltez në asnjë moment nuk e lëshonte epërsinë nga duart, duke avansuar vazhdimisht, që në fund të shënojë fitore me plotë meritë. Përveç Stojkovskit gjatë pjesës së parë, për Velesin në këtë ndeshje në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Darko Rangotov, Aleksandar Gligorov dhe Zoran Leveski, i cili shënoi dy gola.
Rikujtojmë se edhe edicionin e kaluar përfaqësuesi nga Malta, Luxol St Andrews, kishte eliminuar përfaqësuesin e Maqedonisë, Futsal Shkupin.