Reali i pamëshirshëm ndaj Leganes (VIDEO)

Reali i Madridit është treguar i pamëshirshëm ndaj Leganesit në ndeshjen e javës së tretë, duke dërguar këtë skuadër për në shtëpi me 4 gola në rrjetë, njofton “infOSport.mk”. Skuadra e trajnerit Lopetegi shënoi fitore me rezultatin 4:1, me Garet Bejll i cili hapi serinë e golave në minutën e 17-të.

Mysafirët u kundërpërgjigjën vetëm 7 minuta më pas përmes penaltisë së saktë të ekzekutuar nga ana e Kariljos, i cili njëherit vendosi edhe rezultatin e pjesës së parë, Real Madrid 1, Leganes 1.

20 minutat e para të pjesës së dytë ishin të kobshme për mysafirët, të cilët pranuan tre gola dhe që në ato momente u dorëzuan përballë kampionëve në fuqi të Europës. Karim Benzema me dy gola të shpejtë (51’, 60’) bëri që Reali të avansonte për herë të parë në këtë përballje me dy gola epërsi, ndërsa të njëjtën e thelloi edhe më shumë kapiteni Serhio Ramos me golin e shënuar në minutën e 66-të nga pika e bardhë.

Falë kësaj fitore “mbretërit” qëndrojnë të vetmuar në krye të tabelës me 9 pikë dhe një gol averazh impresionues prej 10:2. Në anën tjetër Leganesi mbetet në kuotën e 1 pike dhe aktualisht renditet si e parafundit.

Leave a Reply