Bellasica nuk e nisi mbarë sezonin e ri në elitën e futbollit vendor. Skuadra nga Strumica që këtë vit u rikthye në mesin e më të mirëve në tre xhirot e para ka pësuar po aq disfata, ndërsa sot në kuadër të javës së katërt në LPFM ata si vendas do të mirëpresin Vardarin, njofton “infOSport.mk”.
Sulmuesi Zoran Baldovaliev thotë se te skuadra e Bellasicës mbizotëron atmosferë e mirë dhe se të gjithë janë të gatshëm të japin maksimumin për të arritur tre pikëshin e parë të këtij sezoni.
“Presim fitoren e parë në sezonin e ri. Kishim një start të dobët, ashtu që shpresoj se sot do të marrim tre pikët e para. Të gjithë futbollistët jemi të gatshëm. Atmosfera është pozitive, kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve në evitimin e gabimeve, ashtu që të gatshëm e presim duelin ndaj Vardarit” – tha enkas për “infOSport.mk”, Zoran Baldovaliev.
Rezultatet e dobëta në këtë fillim sezoni bënë që drejtuesit e Bellasicës të aktivizohen në javën e fundit, kur fillimisht angazhuan boshnjakun Irfan Vusljanin, i cili debutoi me gol në ndeshjen ndaj Shkëndijës, ndërsa vetëm ditë më parë sollën edhe dyshen Vllatko Drobarov – Nemanja Petrov, për ta përmbyllur gjatë ditës së fundit të merkatos (31 gusht) me angazhimin e Stefan Vujçiç të FC Shkupit gjatë ditës dhe atë të Filip Ivanovskit në mbrëmje.
Me këto përforcime Bellasica shpreson në një vazhdim të kampionatit më të rehatshëm dhe me rezultate pozitive.