Skuadrat e Milanit, Çelzit dhe Arsenalit që janë ndër skuadrat favorite për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm të Liga Europa, do të kenë prova shumë serioze në ndeshjet e fazës në grupe, njofton “infOSport.mk”.
“Rossonerët” nuk patën edhe aq shumë fat, pasi u shortuan në grup të njëjtë me Olimpijakosin dhe Betisin, që janë treguar si nikoqir të vështirë, kjo për më tepër edhe nga atmosfera që mbizotëron në stadiumet e tyre. Bashkë me ta në grupin “F”, është edhe befasia më e këndshme, skuadra e Dudelanzh nga Luksemburgu, që eliminoi Prishtinën në raundin e parë.
“Blutë” nga Londra janë në grup bashkë me PAOK-un grek, Bate Borisovin dhe skuadrën e Mol Vidi nga Hungaria.
The official result of the #UELdraw! 🤩
Toughest group? 🤔 pic.twitter.com/nfTeWdG1rq
— UEFA Europa League (@EuropaLeague) August 31, 2018
Skuadra tjetër londineze e Arsenalit, ku luajnë dy futbollistët shqiptarë, Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi nuk pati edhe shumë fat gjatë shortit. Skuadra nga “Emirates” që vitin e kaluar luajti deri në gjysmëfinale të Liga Europa, do të jetë mysafir në Azerbajxhan te Karabagu i Ansi Agollit dhe te ukrainasit e Vorskla Poltavës, aty ku luan Ardin Dallku, vëllai i Armend Dallkut. Përveç kësaj, “topçinjtë” morrën edhe kundërshtarin më të fortë nga vazoja e dytë, Sportingun e Lisbonës.
Skuadra finaliste e edicionit të kaluar, Olimpiku i Marsejës gjithashtu nuk kishte shumë fat në këtë short, pasi do të jetë në grup të njëjtë me Lacion e Strakoshës, Durmishit dhe Berishës, fituesin e Kupës së Gjermanisë, Ajntraht Frankfurtin, si dhe me ekipin qipriot të Apolon, transmeton “infOSport.mk”.
Interesant është fakti se këtë vit në Liga Europa do të jemi dëshmitar të përballjes midis Red Bull Salzburg dhe Red Bull Lajpcig, që kanë të njëjtin sponzor.
Plotë 12 grupe me nga 4 skuadra, ku më tej do të vazhdojnë vetëm dy të parat. Skuadrat do të zhvillojnë nga dy ndeshje, brenda – jashtë me secilën.
Skuadrat nga Rusia dhe Ukraina nuk mund të takoheshin në një grup të njëjtë, kjo për shkak konfilktit mes këtyre dy vendeve. E njëjta dje vlente edhe për grupet e Ligës së Kampionëve.
Finalja e sivjetshme e Liga Europa do të zhvillohet me 29 maj në Baku të Azerbajxhanit.