Ndeshja derbi e javës së katërt në elitën e futbollit vendor midis Rabotniçkit dhe Akademia Pandev në arenën “Filipi i Dytë” do të zhvillohet të shtunën me fillim në ora 20:00. Është kjo ndeshja e dytë që “romantikët” do ta zhvillojnë nën reflektorë, pas asaj ndaj Sileksit.
Një gjest i mirë ky i drejtuesve të skuadrës shkupjane, që në këtë mënyrë u mundësojnë gjithë futbolldashësve që në orët e mbrëmjes, kur kohë është më e freskët të shijojnë kënaqësinë e futbollit. Për më tepër që kjo ndeshje duhet përcjellur, është fakti se në Shkup do të jetë mysafir lideri aktual, Akademia Pandev.
Ndeshja e parë nën dritën e reflektorëve për Rabotniçkin rezultoi e suksesshme, pasi mundën Sileksin, ndërkohë rikujtojmë se në ndeshjen e parë të zhvilluar ndaj Renovës në terminin e rëndomtë (ora 17:00), Rabotniçki kishte pësuar disfatë 3:4. Ndeshjen Rabotniçki-Akademia Pandev do ta drejtojë Josip Barton, me ndihmësit e tij Isa Emruli dhe Habil Livoreka, teksa arbitër i katërt do të jetë Faton Mustafi.