Starti i dobët në sezonin e ri në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë i Bellasicës, ka shtyrë drejtuesit e kësaj skuadre të mendojnë përforcimin e skuadrës, me qëllim që të mos mbeten jashtë garës për mbijetesë që në fillim të kampionatit. Ata së fundmi kanë angazhuar dy futbollistë të rinj, me të cilët do të risin konkurrencën në skuadër, por njëkohësisht edhe cilësinë.
Emra të rinj të skuadrës nga Strumica janë Vlatko Drobarov dhe Nemanja Petrov. Ky i fundit vjen nga rradhët e Radniçki Pirot dhe luan në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Ndërkohë sa i përket Drobarov, ai njeh mirë Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, pasi më parë ka luajtur me skuadrat si Skopje, Vardar, Teteks dhe Napredok. 25-vjeçari Drobarov që posedon edhe pasaportë bullgare te Bellasica vjen si futbollistë i lirë, ndërsa së fundmi luante në Arabinë Saudite me skuadrën e Ohod Al-Medina. Jashtë vendit, Drobarov gjithashtu ka luajtur edhe me Aris Limasol në Qipro, FK Banats në Armeni si dhe te skuadra e Murçelagos në Meksikë.
Bellasica në tre ndeshjet e para të sezonit të ri futbollistik ka pësuar po aq disfata, me një gol averazh 1:7.