Aksel Vitsel gjatë kësaj merkatoje vere nga rradhët e Zenit Petersburg u transferua te Borusia e Dortmundit, aty ku që në start po tregon cilësitë e tij të larta, duke dëshmuar se do të jetë një përforcim i madh për skuadrën gjermane dhe se do e ndihmojë të njëjtën në arritjen e objektivave të këtij sezoni.
Belgu debutoi me gol në ndeshjen e Kupës kundër Grojter Furtit, ndërsa të dielën gjithashtu arriti që të debutojë me gol edhe në Bundesligë, duke shënuar në fitoren 4:1 ndaj Lajpcigut. Gjatë festimit të golave, Vitsel festonte duke bërë me duar shqiponjën, ndërsa kjo ka bërë që shumë shqiptarë të bëhen kurioz dhe të dinë se pse vallë një belg të festojë me simbolin tonë.
Vallë ka ai ndonjë lidhje me shqiptarët, apo është në pyetje diçka tjetër. Përgjigjen e ka dhënë vetë futbollisti pak kohë më parë, duke bërë të ditur se shenja që bën me duar në fakt i përket “pëllumbit të paqes”.
Kur ai ishte pjesë e Zenit Shën Petersburg, tregoi për fansat e tij pse kishte zgjedhur gjithmonë atë lloj festimi.
“Unë fillova të festoja kështu pasi babai im ka qenë një tifoz i madh i përfaqësueses franceze dhe Nikolas Anjelka festonte në këtë mënyrë”, tregoi lojtari, i cili e ka fiksuar që fëmijë këtë lloj festimi të veçantë dhe tani zgjedh që ta bëjë vetë sa herë që i jepet mundësia në fushën e lojës, gjë të cilën pra e bëri edhe me fanellën e Borusia Dortmundit.
Rikujtojmë se Aksel Vitsel një festë të tillë ka bërë edhe gjatë kohës kur ishte pjesë e Zenit Shën Petersburg, si dhe me përfaqësuesen e Belgjikës.