Ilirid Ademi pa dyshim se edhe sot ndaj Vardarit do të jetë një ndër futbollistët që do të jetë rrezik permanent për portën kundërshtare. Skuadra e tij, Makedonija Gj. P sot do të ketë një transfertë të vështirë përballë nënkampionëve të Vardarit, mirëpo siç e thotë edhe vetë Ademi, nëse skuadra e tij përsërit lojën si nga ndeshja me Shkëndijën, atëherë do të mund të shpresojnë në një rezultat pozitiv.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë, ku e dimë se kundërshtari është shumë i fortë. Po nëse luajmë ashtu sikurse në ndeshjen kundër Shkëndijës, besoj se do të marrim edhe një rezultat tjetër pozitiv” – u shpreh fillimisht Ilirid Ademi, sulmuesi i cili te Makedonija Gjorçe Petrovi erdhi këtë merkato të verës nga rradhët e Gostivarit. Ai edicionin e kaluar me Gostivarin në Ligën e Dytë u shpall golashënuesi më i mirë, ndërsa shpreson se në ndeshjen e tretë të edicionit të ri në Ligën e Parë do të gjejë edhe golin e parë me fanellën e skuadrës së tij të re.
“Normal që çdo futbollistë në ndeshje të këtilla dëshiron të shënoj, prandaj do ishte pozitive për mua që të shënoj edhe ndaj Vardarit, mirëpo e them prap se më me rëndësi për ekipin është që të dalim të pamposhtur nga kjo ndeshje” – përfundoi Ademi.
Ndeshja ndërmjet Vardarit dhe Makedonija Gj.P zhvillohet në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari me fillim në ora 16:30.