FC Shkupi pas dy barazimeve të njëpasnjëshme në kampionat, të dielën në transfertën ndaj liderit aktual, Akademia Pandev do të kërkoj fitoren e parë në edicionin e ri. Të njëjtin mendim ndanë edhe futbollisti “bardhekaltër”, Bllagoja Ljamçevski, i cili thotë se FC Shkupi ka forcë dhe kualitet që nga Strumica të kthehet me tre pikë të plota.
“Të dielën na pret një udhëtim mjaft i vështirë në Strumicë tek Akademia Pandev, ekip ky që bëri një fillim të mbarë të sezonit të ri duke i fituar dy ndeshjet e para. Ne nuk kemi filluar sezonin ashtu sikurse edhe kishim dëshiruar, por mendoj se kemi forcë dhe dimë të kompensojmë atë që e kemi humbur nga dy ndeshjet e para. Jam i bindur se do të luajmë një ndeshje kualitative dhe do të kthehemi nga Strumica kokëlartë dhe me tre pikë,” – është shprehur për faqen zyrtare të klubit, Bllagoja Ljamçevski.
Ndeshja Akademia Pandev – FC Shkupi zhvillohet të dielën në stadiumin “Kukush” në Strumicë me fillim në ora 16:30. Pas largimit të trajnerit Zekirja Ramadani, ekipin në këtë ndeshje do ta udhëheq trajneri kondicional, Orhan Abdi.