Goblen Junior gjatë ditës së sotme ka shënuar një fitore historike, që do të mbahet mend dhe do të shkruhet në historinë e këtij klubi, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra kumanovare që këtë vit pas shumë tentativave arriti që të ngjitet në Ligën e Dytë – Perëndim, gjatë ditës së sotme ka realizuar fitoren e parë, duke mundur Teteksin në transfertë me rezultatin minimal 1:0.
Ishte kjo vetëm ndeshja e javës së dytë, teksa në ndeshjen e parë të zhvilluar në shtëpi skuadra kumanovare kishte barazuar 1:1 me Struga Trim Lumin.
Ndryshe golin e vetëm dhe të fitores në përballjen e zhvilluar në Tetovë përballë Teteksit për Goblen Junior e kishte realizuar Gentian Pajaziti në minutën e 23-të. Është ky një paralajmërim i mirë për një sezon të mbarë për ekipin nga Karadaku, që javën e ardhshme në terren vendas do të mirëpret Pelisterin.