Bajerni i Munihut e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri në Bundesligë, njofton “infOSport.mk”. Kampionët në fuqi të Gjermanisë në ndeshjen e parë të sezonit të ri në teren vendas me rezultatin 3:1 mundën Hofenhajmin.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të “bavarezëve”, falë golit të shënuar me kokë nga ana e Tomas Myler.
Mysafirët barazuan në minutën e 57-të me anë të hungarezit, Adam Szalai, ndërsa momentet më interesante të këtij takimi ndodhën në 10 minutëshin e fundit të takimit. Francezi Frank Riberi përfitoi një penalti, të cilën morri ta ekzekutojë Robert Levandovski. Goditjen e tij portieri mysafir arriti që ta ndalë, mirëpo topin e devijuar nga ana e tij, Arjen Roben e vendosi në rrjetë.
Ky gol solli festë, mirëpo vetëm për pak çaste, pasi arbitri kryesor në konsultim me kolegët e tij të sisitemit VAR, vendosën që të anulojnë, duke treguar që penaltia duhej përsëritur. Sërish pranë topit u ndal Levandovski, i cili kësaj rradhe nuk gaboi duke kaluar në avantazh Bajernin me rezultatin 2:1.
Nuk vonoi shumë dhe “bavarezët” shënuan edhe një gol tjetër në rrjetën e Bauman. Goretzka nga jashtë zonës lëshoi një goditje të fuqishme, ndërsa Tomas Myler me dorë e devijoi atë në rrjetën e mysafirëve edhe për herë të tretë në këtë ndeshje. Sërish festë në “Alianc Arena”, mirëpo sërish ishte sistemi VAR që kishte fjalën kryesore në këtë rast, me ç’rast pas konsultave dhe rishkimit të video materialit nga ana e arbitrit kryesor, ky i fundit vendosi që të anulojë golin. E gjithë kjo ndodhi vetëm dy minuta para fundit të takimit, ndërkohë në minutën e fundit, atë të 90-të, Roben megjithatë arriti që të shënojë golin e tretë në rrjetën e Hofenhajm, që kësaj rradhe ishte i rregullt dhe i fundit i këtij takimi, që foli në të mirë të Bajernit të Munihut.