Zekirja Ramadani nuk është më trajner i FC Shkupit. Lajmin e ka konfirmuar vetë strategu shkupjan përmes profilit të tij në facebook, ku kishte treguar edhe arsyet. Ai kishte marrë përgjegjësinë për startin e dobët, ndërsa pasaardhësit të tij i kishte dëshiruar shumë suksese.
“Të nderuar miq dua të ju informojë që sot kam dhënë dorëheqje nga posti trajner i FC Shkupit pas startit të dobët në kampionat dhe eliminimit nga Kupa e Maqedonisë. Marrë përgjegjësinë e plotë për këto rezultate të dobëta dhe dorëzova postin tim. Vendimi ishte pa më dyshje dhe u pranua edhe nga pronari i klubit, të cilin dua ta falënderojë për mbështetjen që më dha deri në këtë ditë. Falënderojë edhe futbollistët dhe patjetër falemenderim edhe për Shvercerat për mbështetjen e deritanishme. FC Shkupit dhe pasardhësit tim i dëshirojë shumë suksese” – kishte shkruar Ramadani.
FC Shkupi në dy xhirot e para të sezonit të ri arriti po aq barazime, edhe atë kundër Sileksit në Kratovë dhe Pobedës në Çair, ndërsa kulmi ishte eliminimi nga Kupa e Maqedonisë që në raundin e parë nga skuadra debutuese në Ligën e Dytë – Lindje, Kit Go.