Shkëndija ka pësuar disfatë 3:1 në ndeshjen e parë kundër Rosenborgut në transfertë, ndeshje kjo e vlefshme për fazën “play-off” të Liga Europa, njofton “infOSport.mk”. Marrë parasysh lojën e shfaqur në teren nga ana e të përzgjedhurve të trajnerit Osmani, ky epilog nuk është real, pasi Shkëndija sipas të dhënave statistikore ishte kundërshtarë më i mirë, ndërsa një gjë të tillë dëshmon edhe posedimi i topit, që ishte në favor të Shkëndijës, 58% ndaj 42%.
Megjithatë në fund asgjë dobi nga e gjithë kjo, pasi Shkëndija në Shkup do të duhet të ndjek një epërsi prej dy golash, mirëpo duke mos pranuar asnjë, për të shkruar historinë dhe për të kaluar në fazën në grupe.
Rosenborgu që të tre golat i realizoi gjatë pjesës së parë, me Xhebalin që shënoi golin e parë në minutën e 11-të.
26-vjeçari shënoi një ndër golat më të bukur të fazës së deritanishme në Liga Europa, kur me një parabolë në minutën e 11-të arriti që të mposhtë portierin Kostadin Zahov.
Ishte ky vetëm një paralajmërim i golit të dytë, që erdhi vetëm 4 minuta më pas me autorë Niklas Bendtner, i cili shënoi me kokë, duke fituar bindshëm duelin në ajër ndaj shtatëshkurtit Mevlan Murati, teksa golin e tretë Rosenborgu e shënoi vetëm një minutë para fundit të pjesës së parë, atëherë kur Shkëndija ndoshta edhe ishte kundërshtarë më i mirë.
Pas një kundërzbritje dhe harkimit të Meling, suedezi Levi shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Zahov, i cili nga tre goditje të drejtëpërdrejta pësoi po aq gola. Në anën tjetër Shkëndija u kanos rrezikshëm me anë të dyshes sulmuese, Emini-Ibraimi, me këtë të fundit i cili në minutën e 29-të qëlloi shtyllën pas një goditjeje të fuqishme me të majtën e tij.
Shkëndija edhe në pjesën e dytë kishte më shumë posedimin e topit në këmbët e saj, ndërsa në minutën e 76-të Zhunior riktheu shpresat e “kuqezinjëve”, duke ngushtuar epërsinë e norvegjezëve në 3:1, transmeton “infOSport.mk”.
Nice goal by Junior @MacedonianFooty pic.twitter.com/Vy0RFtiVNo
— ToCe (@Tony_Naumov) August 23, 2018
Të përzgjedhurit e trajnerit Osmani këtë gol e shënuan përmes një aksioni të rrjedhshëm dhe disa kombinimeve të sakta, ku Zhunior edhe për të tretin vit me rradhë arriti që ta regjistrojë emrin e tij në listën e golashënuesve ne ndeshjet ndërkombëtare.
Në minutat e fundit të takimit në fushë luante vetëm Shkëndija, me ekipin vendas që mbrohej me të gjitha forcat, ndërsa në dy raste “kuqezinjtë” pretendonin për një penalti, të cilën megjithatë nuk e fituan, edhe pse sidomos në rastin e dytë shihej qartë zgjatja e dorës së Hovland, mirëpo për arbitrin kryesor, kjo nuk kishte të bëjë me penalti, madje i njëjti për shkak protestave kapitenin Armend Alimi e ndëshkoi me të verdhë.
Një disfatë jo dhe aq e këndshme, mirëpo mund të themi që nuk është e pashpresë, pasi Shkëndija me një fitore 2:0 javën tjetër në Shkup do ta sheh veten në grupet e Liga Europa.