Pas Bojan Najdenov, skuadra e Superligës shqiptare, Laçi në rradhët e veta ka arritur që të sjellë edhe një futbollist tjetër maqedonas, Marjan Altiparmakovski. Ky i fundit skuadrës laçiane i bashkohet nga rradhët e Sarajevës, aty ku kaloi vetëm 6 muaj, edhe përkundër faktit se kishte një kontratë një vjeçare. Me Sarajevën ai zhvilloi vetëm dy ndeshje, duke mos arritur që të bind drejtuesit e skuadrës së njohur nga Bosnja e Hercegovina.
Ai para se të transferohej në elitën e futbollit boshnjak, luante në Lituani me skuadrën e Suduvës, për të cilën skuadër në 21 ndeshje kishte realizuar 5 gola, ndërsa gjithashtu ishte në bisedime edhe me skuadrën e FC Shkupit.
Më herët gjatë karrierës së tij ai kishte luajtur edhe në Kroaci me skuadrën e Inter Zapreshiç si dhe në Greqi me skuadrat e Paniliakos dhe Ksanti. Për përfaqësuesen shpresa të Maqedonisë kishte shënuar një gol në 13 ndeshje, ndërsa momentet e tij më të bukura të karrierës i ka kaluar me Rabotniçkin, për të cilën skuadër në 73 ndeshje, kishte realizuar 21 gola.
Marjan Altiparmakovski pjesë e Rabotniçkit ishte për dy vite (2014-2016), kur skuadra nga “Debar Maalo” në verën e vitit 2015-të shkruajti histori në garat evropiane, duke arritur deri në fazën “play-off” të Liga Evropa, kur u eliminuan nga gjigandët italian të Lacios.
Altiparmakovski shihet si një zëvendësim i denjtë për sulmuesin Rexhinaldo, i cili pak kohë më parë kaloi te Kukësi. Ai duhet të përshtatet sa më shpejt me Laçin dhe t’i shërbejë skuadrës së re që në ndeshjen e kësaj jave me Luftëtarin. Rikujtojmë kurbinasit sezonin e ri në Superligën shqiptare e nisën me barazim 1:1 ndaj Kukësit në transfertë.